TIRANE- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një takim me strukturat e kësaj force politike në rrethin e Pogradecit, për t’i falënderuar për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 23 qershorit. Ilir Meta tha se marrja e rreth 6 mijë votave në rrethin e Pogradecit, pati një peshë të veçantë në suksesin që LSI arriti në qarkun e Korçës dhe në gjithë vendin.
 
“Kanë qenë zgjedhje të vështira por ne kemi qenë të përgatitur dhe kemi pasur besim të plotë se këto do të ishin zgjedhje të cilat do të tregonin vitalitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, fuqinë e saj, perspektivën që ajo ka dhe që do t’i shërbejë të gjithë vendit”, tha Meta.
 
Duke u ndalur tek rezultati i arritur më 23 qershor, Meta deklaroi se kontributi i LSI-së ka qenë i jashtëzakonshëm për të gjithë koalicionin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Sipas tij 180 000 vota kanë qenë vendimtare për këtë rezultat të jashtëzakonshëm, për këtë fitore domethënëse, për këtë rrotacion tepër të vendosur.
 
“Natyrisht që kontributi i LSI-së nuk ndalet këtu përkundrazi 23 qershori është vetëm stacioni i radhës në angazhimin tonë si forcë politike për të transformuar vendin, për ta bërë atë një vend plotësisht evropian, të standardeve evropiane. Ne i kemi treguar aftësitë tona në të kaluarën dhe do t’i tregojmë akoma më shumë tani. 180 000 vota dhe 16 mandate është një rezultat i jashtëzakonshëm”, vijoi ai.
 
Më tej kreu i LSI u shpreh se “tani sfida më të mëdha na presin, të cilat kanë të bëjnë me problemet që ka vendi, të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e qeverisjes, me administrimin e të gjithë këtij besimi të madh që kemi marrë edhe nga unë besoj se këto sfida do t’i përballojmë me sukses sepse do t’i përballojmë të gjithë së bashku, në bashkëpunim me njëri-tjetrin”
 
Kreu i LSI tha se tashmë forca politike që ai drejton ka marrë shpejtësinë e duhur për të ecur drejt realizimit të objektivave.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)