POGRADEC- Prej vitesh, rreth 10 mijë banorë të komunës Proptisht në rrethin e Pogradecit, përballen me infrastrukturën e shkatërruar të rrugës që lidh këtë komunë me rrugën nacionale Elbasan-Korçë.

Janë mbi 40 km rrugë që prej vitesh nuk kanë marrë asnjë lloj investimi, pavarësisht faktit që nga ana e komunës janë bërë me dhjetëra projekte për rregulimin e saj.

Situata është vërtet problematike, pasi në të gjithë këtë aks rrugor mbizotëron balta dhe gropat.

Vështirësitë shtohen edhe më tepër në kohën kur bie shi, ndërsa në periudhën e dimrit, në shumë ditë, ruga është e pakalueshme.


Sipas kryetarit të komunës Proptisht, Fuat Fero, komuna ka harxhuar më tepër para për realizimin e projekteve, sesa për mirëmbajtjen e saj.

Drejtuesit e mjeteve shprehen të shqetësuar për gjendjen e rrugës, e cila prej vitesh nuk ka ndryshuar.

Mungesa e infrastrukturës së saj shkakton çdo vit humbje të mëdha tek banorët, si në bujqësi ashtu edhe në blegtori, pasi e kanë të pamundur t'i nxjerrin në treg produktet e tyre për shkak të rrugës së dëmtuar.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)