Të mbledhur në qendër të fshatit, banorët e Çëravës janë të shqetësuar se 27-vjeçari Kevi Muçllari gjendet sot pas hekurave vetëm se mbrojti interesin e komunitetit. Ai u prangos me akuzën e “goditjes për shkak të detyrës” ndaj një këshilltari bashkiak, por komuniteti e sheh arrestimin si presion politik.
Konflikti lindi një ditë më parë, pasi Bashkia e Pogradecit me forcën e kartonit në këshill vendosi të japë me qira mbi 34. 66 hektarë tokë, të cilët banorët e përdorin prej shumë vitesh për të kullotur bagëtinë.
"Banorët kërkuan rishikimin e sipërfaqes, duke hequr nga harta zonat me status kullotë, të cilat shfrytëzohen për blegtorinë e fshatit. Kjo kërkesë u pranua, dhe sipërfaqja u reduktua nga 65 hektarë 8459 m2 në 34 hektarë e 6660 m², sipërfaqe e cila ka statusin pemtore. Ky version i rishikuar i projektit u diskutua sërish me përfaqësues të banorëve, me të cilët u arrit dakordësi parimore.
Projektvendimi, tashmë me sipërfaqen e reduktuar dhe pa prekur kullotat e zonës, u shqyrtua në Komisionet e Këshillit Bashkiak dhe më pas u paraqit për miratim në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, të zhvilluar ditën e djeshme.
Këshilltarët, të cilët ishin njohur më herët me materialin dhe pas sqarimeve të detajuara nga specialistët e fushës, të cilët garantuan se harta e re nuk prek sipërfaqet e kullotave, miratuan projektvendimin me 20 vota pro", thuhet ndër të tjera në reagim.
Ndërkohë, Bashkia e Pogradecit si pronare e ligjshme e tokës thotë se ka vendosur tua japë me qira, subjekteve private te interesuara për pemtore. Bashkia hedh poshtë pretendimin e banorëve për ndërtimin e paneleve diellore. Çmimi minimal për hektar është 6 mijë lekë në vit, ndërsa afati i dhënies do të përcaktohet sipas destinacionit të kultivimit. Projektvendimi i Bashkisë u miratua të hënën në Këshillin Bashkiak me 19 vota pro. Tre këshilltarë abstenuan, tre votuan kundër.
Ishte pikërisht ky vendim që çoi në konfrontimin fizik ndërmjet këshilltarit të Bashës, Engjëll Shyti dhe 27-vjecarit Kevi Muçllari. Banorët e Çërravës paralajmërojnë se nuk do të ndalen derisa i riu të lirohet nga burgu dhe Bashkia te tërhiqet nga vendimi.

Foto: Momenti nga sherri mes këshilltarit dhe qytetarit
Bashkia Pogradec ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me incidentin e regjistruar dje në Këshillin Bashkiak ku pati edhe përplasje fizike.
Në një reagim në faqen zyrtare të Facebook theksohet se Këshilltarët e miratuan projektvendimin me 20 vota pro “Dhënien me qira të sipërfaqeve tokë shtetërore në Çerravë” pasi garantuan se harta e re nuk prek sipërfaqet e kullotave.
Në reagim thuhet gjithashtu se pas miratimit, një prej përfaqësuesve të pranishëm u tensionua dhe përdori fjalor fyes.
Bashkia njofton se ngjarja tashmë është referuar pranë organeve ligjzbatuese, të cilat do të sqarojnë rrethanat dhe përgjegjësitë përkatëse.
Postimi i plotë
Bashkia Pogradec, përmes këtij reagimi, sqaron opinionin publik mbi projektvendimin që lidhet me “Dhënien me qira të sipërfaqeve tokë shtetërore në Çerravë”.
Ju bëjmë me dije se:
Projektvendimi fillestar i propozuar dhe i konsultuar me banorët e Çerravës parashikonte një sipërfaqe prej 65 hektarë 8459 m2. Gjatë takimeve konsultative, pesë të tilla, banorët shprehën shqetësimet dhe sugjerimet e tyre, të cilat u morën në konsideratë nga institucioni ynë.
Banorët kërkuan rishikimin e sipërfaqes, duke hequr nga harta zonat me status kullotë, të cilat shfrytëzohen për blegtorinë e fshatit. Kjo kërkesë u pranua, dhe sipërfaqja u reduktua nga 65 hektarë 8459 m2 në 34 hektarë e 6660 m², sipërfaqe e cila ka statusin pemtore. Ky version i rishikuar i projektit u diskutua sërish me përfaqësues të banorëve, me të cilët u arrit dakordësi parimore.
Projektvendimi, tashmë me sipërfaqen e reduktuar dhe pa prekur kullotat e zonës, u shqyrtua në Komisionet e Këshillit Bashkiak dhe më pas u paraqit për miratim në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, të zhvilluar ditën e djeshme.
Këshilltarët, të cilët ishin njohur më herët me materialin dhe pas sqarimeve të detajuara nga specialistët e fushës, të cilët garantuan se harta e re nuk prek sipërfaqet e kullotave, miratuan projektvendimin me 20 vota pro.
Sqarojmë po ashtu se në mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të fshatit Çerravë, të cilët ndoqën diskutimet dhe morën pjesë në to. Gjatë debatit, pati momente të tensionuara dhe përdorim të një fjalori joetik dhe fyes ndaj anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
Pas miratimit të projektvendimit, një prej përfaqësuesve të pranishëm në sallë u tensionua dhe përdori fjalor fyes, çka solli reagimin e njërit prej anëtarëve të Këshillit, situatë e cila agravoi në një përplasje fizike mes palëve.
Ngjarja tashmë është referuar pranë organeve ligjzbatuese, të cilat do të sqarojnë rrethanat dhe përgjegjësitë përkatëse.
Në përmbyllje, Bashkia Pogradec thekson se ka të gjithë të drejtën ligjore për mbrojtjen e tokës dhe aktet nënligjore në zbatim të tij mbi administrimin e tokave shtetërore në territorin e saj dhe dhënien e tyre me qira për individë apo subjekte, me qëllim zhvillimin e tyre.
Njëkohësisht, Bashkia mbetet një institucion i hapur për dialog dhe konsultim me komunitetin, duke dëgjuar dhe reflektuar mbi shqetësimet e qytetarëve, ashtu siç është vepruar edhe me banorët e fshatit Çerravë.
Komente









