Banorët e fshatit Cerrave kërkojnë lirimin e bashkëfshatarit të tyre, Kevi Muçllari, i cili u arrestua sot pas konfrontimit fizik që pati me anëtarin Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Engjëll Shyti.

Të mbledhur para komisariatit të policisë në Pogradec, banorët që ishin të pranishëm në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku u votua dhënia me qira e sipërfaqeve kullotësore të Cerravës, thonë se 27-vjeçari është arrestuar padrejtësisht, duke shtuar se prej tij nuk pati akte dhune.

Avokati Endri Çela e cilëson të gabuar akuzimin e Kevi Muçllarit për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, duke arsyetuar se mes 27-vjeçarit dhe këshilltarit pati vetëm shtyrje, dhe e cila ndodhi pas procesit të votimit.

“Unë mendoj që arrestimi i bërë për shtetasin Kevi Muçllari nuk është në mbështetje të ligjit. Së pari, nuk jemi në kushtet që kemi një goditje, ka patur një shtyrje të përbashkët me personin tjetër. Nuk është provokuar nga ana e Kevit mosmarrëveshja, apo konflikti për aq sa mund ta quajmë konflikt. Dhe nuk jemi në kushtet e një goditje klasike për shkak të detyrës. Element i dytë që është i rëndësishëm për t’u theksuar në këtë rast është fakti që mosmarrëveshja nuk lindi për faktin kë votoi një këshilltar apo kë votoi një këshilltar tjetër, pavarësisht kundërshtisë që kishte Kevi dhe gjithë banorët e tjerë. Mosmarrëveshja lindi për faktin që në momentin që Kevi ishte duke u larguar, pati një reagim nga persona të tjerë. Pra nuk lidhet me votimin që pati një këshilltar apo shumë këshilltarë të tjerë, por lidhet me faktin për debate pasi kishte përfunduar procesi i votimit”,- tha Çela.

Në mbështetje të banorëve, para komisariatit të policisë ishte edhe anëtari i pavarur i Këshillit Bashkiak, Arbër Male, i cili pretendon se Engjëll Shyti, ndonëse është pjesë e Këshillit Bashkiak, është edhe i punësuar në një ndërmarrje të bashkisë së Pogradecit. Ai thekson se sipas nenit 42 të ligjit për qeverisjen vendore kjo është kategorikisht e ndaluar.

“Të gjithë ne sot kemi ndjekur me shqetësim mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, ku unë si anëtar, kam qenë edhe prezent edhe dëshmitar ocular. Përfaqësuesi i bamorëve Kevi Muçllari ka shprehur argumentin e tij në mbrojtje të interesit publik, të interesit të banorëve që është në fshatin e tyre, që është administruar prej vitesh nga këta banorë. Ka dhënë argumentat ligjorë dhe morale që i takonin kësaj zone. Më pas është provokuar nga një prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak që është në konflikt interesi, pasi është i punësuar në një prej ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë së Pogradecit dhe neni 47 i ligjit për qeverisjen vendore e ndalon një veprim të tillë”,- tha Lale.

Përplasja fizike mes këshilltarit demokrat dhe 27-vjeçarit ndodhi pas votimit të projektvendimit për dhënien me qira të sipërfaqeve kullotësore në fshatin Cërrave. Pas procedurës së votimit banorët të pranishëm në mbledhje dolën duke thënë “turp” për këshilltarët që votuan këtë projekt- vendim.


Lajmi kryesor:

Pogradec/ Bashkia do japë tokat me qira për panele diellore, plas sherri në Këshillin Bashkiak! Këshilltari demokrat përleshet me qytetarin! Arrestohet i riu