Dy viktima nga i ftohti në Durrës dhe Pogradec, vijojnë të bllokuar fshatrat në veri e verilindje, pezullohet mësimi në disa zona të thella

Në 24 orët e fundit janë shënuar dy viktima nga moti i keq në vend duke e çuar në 4 bilancin. Në qarkun e Korçës, në Pogradec një person është gjetur i ngrirë në dëborë në fshatin Selcë e Sipërme. Viktima është Ajet Zikollari 53-vjeç, ai dyshohet se ishte i dehur, ndërsa u gjet i pajetë në dëborë.

Sipas banorëve të zonës, Zikollari kishte shkuar për të marrë ushqime për familjen me një gomar në Proptisht, por nuk ishte kthyer. Gazetarja e Report Tv në Korçë, Iris Rezhda shprehet se banorët kanë deklaruar se kafsha ngarkuar me ushqimet ishte kthyer në banesë, ndërsa i zoti jo. Familjarët dhe të afërmit e tij nisën kërkimet. Pasditen e djeshme ai është gjetur i ngrirë në dëborë, e cila në këtë zonë arrin deri në një metër. Ndërkohë që sot në mëngjes në Durrës është gjetur i pajetë një endacak në hyrje të portit. Ai është Viktor Dhima.

Ndërkohë që prej orëve të para të ditës së sotme është rikthyer dëbora në veri dhe verilindje të vendit. Në Shkodër, Kukës, Korçë, Elbasan, Gjirokastër dhe në qarkun e Dibrës shumë fshatra janë të izoluar. Ndërkohë që në Tropojë, disa fshatra në Kukës, Elbasan, por edhe zona të tjera të thella vendit është pezulluar mësimi për shkak të bllokimit të rrugëve. Sipas ARRSH rrugët nacionale janë të kalueshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:20
Disa fshatra të bllokuar nga dëbora në Përmet dhe Libohovë

Në qarkun e Gjirokastrës ka disa fshatra të bllokuar nga dëbora. Në Bashkinë Libohovë janë të bllokuar rrugët në njësinë Administrative Zagorie, fshatrat Zhej, Lliar, Konckë, Hoshtevë dhe Doshnicë prej disa ditësh. Në bashkinë Përmet rrugët rurale të Nj.Ad.Frashër në segmentin Bredhi Hotovës- Frashër, lëvizja bëhet me vështirësi me zinxhirë. Të bllokuara qëndrojnë rrugët e fshatrave Frashër, Miçan, Zavalan, Ogren për shkak të borës dhe ngricës. Ndërkohë që pa energji është fshati Zavalan. Në Bashkinë Këlcyrë, rruga Këlcyrë - Malëshovë - Leskaj - Limar vazhdon e bllokuar, ndërsa në rrugët rurale të fshatrave të tjerë ka vështirësi në lëvizjen e mjeteve.

Ora 13:19
Dëbora, disa shkolla pa mësim në Librazhd dhe Elbasan, probleme me energjinë

Edhe në qarkun e Elbasanit ka probleme nga dëbora dhe moti i keq. Në Librazhd nuk zhvillohet mësimi në disa shkolla në zona të thella në Stravaj, Arrëz e Zgosht, ndërsa në Elbasan në Labinot Mal, Shmil dhe Lugazhi. Përsa i përket rrugëve janë të hapur, me përjashtim të kryqëzimit të Labinot Fushës, ndërsa disa akse të tjera qarkullohen vetëm me zinxhirë. 260 abonentë janë pa energji në Qarrishte e Kostenje ne Librazhd dhe Neshte te Zavalines.

Të dhënat për proçesin mësimor në Qarkun e Elbasanit
Ora 13:07
Dëbora, vijon puna për hapjen e rrugëve në Peshkopi

Vijon puna për hapjen e rrugëve të bllokuara nga dëbora në veri dhe verilindje të vendit. Aktualisht po punohet për hapjen e rrugëve; Peshkopi- Zimur, Arras- Grykë- Nokë, Hurdhë, Bulac, Shqarth, por edhe në Zall- Dardhë.

Ora 13:05
Vijon dëbora edhe në Lezhë, probleme në Mirditë, në fshatra nuk zhvillohet mësimi

Situata ne qarkun e Lezhes sot vijon me temperaturat te uleta dhe reshje. Ne bashkine Lezhe e Kurbin sot ka reshje te dobeta shiu, por pa probleme. Furnizimi me energji normal. Ne Mirdite situata sot eshte problematike nga reshjet e debores qe kane filluar intensive dhe ngricat. Ne rrugen e Kombit dhe ato nacionale jane te kalueshme dhe pa problema per momentin. Rruget rurale qe lidhin qendrat e Nj. Ad. kane prezence bore dhe akullit, kalimi me zinxhire. Edhe sot punet me fadroma per te hapur rruget me fshatrat e thella ne( Nj. Ad. Selite, Orosh, Kacinar, Fan). Furnizimi me energji ka qene me nderprerje ne disa zona. Mesimi ka filluar ne shkollat e qytetit Rreshen e Rubik, ne Njësitë Administrative nuk zhvillohet mesim.

Ora 10:40
Në Tropojë dhe disa fshatra në Kukës nuk zhvillohet mësimi, rinis dëbora

Ka rinisur dëbora edhe në qarkun e Kukësit. Mësimi në bashkinë Tropojë nuk zhvillohet, në Has zhvillohet normalisht, në bashkinë Kukës mësimi në 25 shkolla në zonën e ulët zhvillohet normalisht, në 23 shkolla të zonave të larta me orare të reduktuar, ndërsa në 5 shkolla të njësisë administrative Kalis nuk zhvillohet mësimi. Rrugët nacionale janë të hapura, ndërsa rurale të bllokuara në disa zona.

Rrugët nacionale:
Rruga e Kombit është e kalueshme pa zinxhire. Rrugët nacionale Kukës janë të kalueshme pjesërisht me zinxhirë. Rrugët nacionale Has e Tropojë janë të kalueshme pa zinxhirë. Forca e mjete të angazhuara nga firmat kontrktore janë: Mjete 10 borëpastruese, 2 fadroma 3, transporti e forca 71 punonjës. Kapacitetet tjera të firmave janë në gadishmëri për ndërhyrje në rast situate.

Bashkia Kukës:
Janë të bllokuara Nj.Ad. Arrën, Kalis e një pjesë e rrugëve të fshatrave të Nj.Ad.Zapod, Bushtricë, Shishtavec, Topojan, Grykë-Çajë, Surroj, Malzi. Është planizuar për datën e sotme për hapjen e akseve rrugore të NjA Kalis e në drejtim të këtyre zonave të bllokuara. Forca e mjete të angazhuara nga Bashkia Kukës me firmën kontraktore janë : Mjete 3 borëpastruese 4 fadroma me 27 punonjës.

Bashkia Tropojë:
Janë të lidhura të gjitha Qendrat e NJ A. Është programuar puna për hapjen e rrugëve në drejtimet NjA Lekbibaj dhe NjA Tropojë e vjetër, që lidhin këto njësi me fshatrat e tyre. Forca e mjete të angazhuara nga Bashkia Tropojë me firmën kontraktore janë: Mjete 5 borëpastruese 5 fadroma me 20 punonjës.

Bashkia Has të gjithë rrugët hapura. Forca e mjete të angazhuara nga Bashkia Has janë: Mjete 1 borëpastruese 2 fadroma me 11 punonjës. Nga Bashkitë forca e mjete të angazhuara: Mjete 9 borëpastruese 11 fadroma me 58 punonjës.

Ora 10:36
Moti/-7 gradë në Korçë, ja fshatrat që janë ende të izoluar nga dëbora

Në qarkun e Korçës sipas te dhenave nga Sherbimi Meteorologjik Ushtarak temperaturat gjate nates kane qene -7 grade dhe aktualisht jane -2 grade . Akset rugore nacionale jane pa probleme dhe qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht. Te gjitha akset rrugore rurale deri ne qenderat e Nj. Administrative jane te hapura dhe qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhire. Ndërkohë që po vijon puna per hapjen e rrugeve te fshatrave te Nj. Administrative Vithkuq: Panarit, Grabocke, Trebicke, Cemerice, Katund, fshatrave te Nj. Administrative Lekas: Marjan, Gjonbabas, Gurmujas, fshatrave te Bashkise Kolonje: Vodice, Pepellash, fshatrave te Nj. Administrative Gore: Zvarisht, Dolan, Lozhani i Siperm, Tresove, Senisht, Mocan, fshatrave Sterkanj dhe Osnat te Nj. Administrative Dardhas dhe fshatrave Jolle, Shpelle e Senisht te Nj. A Velcan, Bashkia Pogradec. Ne shalle qarku furnizimi me energji elektrike vijon normalisht dhe procesi mesimor ka filluar ne oren 09:00 dhe do te vijoje regullisht.

Ora 10:36
Rinis dëbora në Shkodër, Dukagjini vijon që të jetë i bllokuar

Sot në Shkodër që në orët e para ka pasur reshje dëbore e shoqëruar me reshje shiu. Vijon te jete e bllokuar zona e Dukagjinit. Dy fadroma po punojnë për hapjen e rrugës Prekal - Kir - Mali i Shoshit.

Ora 10:15
Tjetër viktimë nga i ftohti, vdes një endacak në Durrës (VIDEO)

Shënohet një tjetër viktimë nga i ftohti, këtë herë në Durrës. Sipas gazetarit të Report Tv në Durrës, Artur Korriku, viktima ka qenë endacak. Ai është gjetur i pajetë në hyrjen nr. 2 të portit të Durrësit. Ai është Viktor Dhima, ndërsa dyshohet se kishte konsumuar alkool.

Ora 09:22
Ngricat në rrugë, ARRSH: Rinis dëbora, ja akset ku duhet të keni kujdes me qarkullimin

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se të gjitha akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa gjatë natës në rajonin qendror kanë rifilluar reshjet e dëborës. Informacioni i ARRSH lidhet me akset që kanë nën përgjegjësi dhe jo ato rurale që kanë të bllokuar prej disa ditësh në veri dhe verilindje.

Njoftimi i ARRSH-së
Rajoni Verior: Gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta. Në të gjitha akset ku ka prezencë ngricash, është bërë shpërndarja e kripës nga ana e kontraktorëve. Segmentet që janë të kalueshme me zinxhir ose pjesërisht me zinxhirë janë:
Domaj- Drajë Rec
Qafë Mali- Fierzë
Ura e Cerenecit-Steblevë
Kuben-Vasije
Peshkopi-Qafë Drajë
Peshkopi-Ushtelencë
Qafë Bualli-Krastë
Trebisht-Doganë

Në akset e tjera qarkullimi është normal.
Rajoni Qendror: Gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta dhe tani kanë filluar reshje të dobëta. Është punuar nga kontraktorët që në orët e para të mëngjesit për shpërndarjen e kripës në segmentet ku ka prezencë ngricash.

Qarkullimi në akset e këtij Rajoni është si më poshtë:
Aksin nga Trau i Dajtit-Teleferik -Vilat Qeveritare, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve , për shkak të prezencës së ngricave. Qafë Priskë-Shëngjergj rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të prezencës së ngricave. Qafë Priskë-Qafë Mollë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Aksi Krujë Sarisalltik rekomandohet pjesërisht me zinxhirë. Lunik-Steblevë rekomandohet me zinxhir në pjesën fundore të tij.

Në akset e tjera qarkullimi është normal.
Rajoni Jugor: Gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta, sidomos në Qarkun e Korçës. Që në orët e para të mëngjesit është bërë shpërndarja e kripës nga ana e kontraktorit për shkak të temperaturave dhe prezencës së ngricave në rrugë.

Qarkullimi në akset e këtij Rajoni paraqitet si më poshtë:
Në Qarkun Korçë qarkullimi është normal pa zinxhirë. Në Qarkun Gjirokastër qarkullimi normal pa probleme. Në Qarkun Vlorë qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht pa zinxhirë. Të gjithë kontraktoret janë në gatishmëri, pasi pritet që pasdite të ketë reshje bore. Për shkak të temperaturave të ulëta, rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit. Gjithashtu gjatë lëvizjes duhet të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Ora 08:47
Dëbora, vijojnë të bllokuara 20 familje në Mat, banorëve u mbarojnë ushqimet

Në fshatin Selnicë të njësisë Komsi në Mat vijojnë të jenë të bllokuara 20 familje nga dëbora. Në këtë fshat mungon edhe energjia elektrike. Gazetari i Report Tv në Dibër thekson se në këtë fshat si pasojë e izolimit prej një jave banorëve u kanë mbaruar furnizimet, ndërsa nuk kanë as bazë ushqimore për bagëtitë. Banorët kërkojnë ndihmë nga shteti për të hapur rrugën, pasi edhe një grua është në prag të lindjes, ndërsa dërgimi në spital është i pamundur për shkak të bllokimit të rrugës.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë