Polemikat për WhatsApp dhe frika për privatësinë e të dhënave

Polemikat për WhatsApp dhe frika për privatësinë e të dhënave

Foto ilustruese

Shumë përdorues e braktisën WhatsApp-in, pasi ai e ndryshoi politikën e tij të privatësisë. Shqetësimet se të dhënat e tyre mund të përfundojnë në Facebook po i çojnë ata tek konkurrentët, që i mbrojnë më mirë të dhënat.

Miliona përdorues të aplikacioneve të mesazheve digjitale janë përpjekur të gjejnë shërbime alternative javën e fundit, pasi WhatsApp, në pronësi të Facebook-ut, njoftoi ndryshime në politikën e tij të privatësisë. Reagimi thekson një shqetësim në rritje - dhe mungesë qartësie - te përdoruesit për privatësinë e të dhënave.

Sipas firmës analitike të aplikacioneve mobile Sensor Tower, konkurrenti i WhatsApp-it, Signal pati 17.8 milion shkarkime midis 5 janarit dhe 12 janarit, nga vetëm 285.000 një javë më parë. Aplikacioni tjetër i mesazheve Telegram pati 15.7 milionë shkarkime gjatë së njëjtës periudhë, mbi dyfishin e 7.6 milion shkarkimeve që kishte një javë më parë. Shumë u dyndën gjithashtu te mesazheri Threema, më pak i njohur, një aplikacion mesazhesh që përdoret dendur në vendet gjermanofolëse, ku ndjeshmëria ndaj mbrojtjes së të dhënave është e lartë.

"Shkarkimet nuk po ndalen," i tha DW kreu i marketingut dhe shitjeve i Threemas, Roman Flepp. "Javën e kaluar kemi regjistruar 10 herë më shumë shkarkime ditore sesa në një ditë të rregullt. Kështu që tani po flasim për qindra mijëra përdorues të rinj çdo ditë. Kjo është shumë".

Konfuzioni i përdoruesit është i madh

Ndërkohë, shkarkimet e WhatsApp-it ranë në 10.6 milionë, nga 12.7 milionë një javë më parë. Kjo e shtyu WhatsApp të nxjerrë një sqarim, dhe më vonë madje të njoftojë se do t'i shtyjë përditësimet deri më 15 maj.

"Nuk jam i befasuar që njerëzit nuk e dinë me të vërtetë se për çfarë duhet të pranojnë, në krahasim me gjërat që miratonin më parë," i tha DW Mbikqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave Wojciech Wiewiorowski. Njoftimi i WhatsApp për përdoruesit e tij ishte "jashtëzakonisht i shkurtër" dhe "pa informacione", tha ai.

"Meqenëse njerëzit janë të vetëdijshëm për përqëndrimin e tregut dhe faktin që ka gjithnjë e më pak kompani të cilat në të vërtetë kanë gjithnjë e më shumë kontroll mbi informacionin në internet, situata me shpërndarjen e të dhënave midis shërbimeve po krijon dyshime për përdoruesit,"tha ai.

Në fillim të janarit, përdoruesit e WhatsApp-it morën një mesazh pop-up që njoftonte përditësimet në politikën e privatësisë së aplikacionit. Një vështrim nga afër nxirrte në paj se të gjitha llogaritë që nuk binin dakord me kushtet e reja brenda afatit të 8 shkurtit do të pezulloheshin ose fshiheshin.

Pasoi konfuzioni. Përditësimi ishte i paqartë për shumë njerëz, dhe një referim te Facebooku shkaktoi për përdoruesit frikë se përmbajtja e mesazheve të tyre do të ndahej me gjigantin e mediave sociale. Facebook ka pothuajse vazhdimisht emër të keq për praktikat e tij të dobëta të privatësisë. Reagimi negativ e shtyu WhatsApp të lëshojë një sqarim dhe të vonojë ndryshimet deri në maj.

'Të dhënat janë floriri i kohës sonë'

Pavarësisht nga vonesa tre-mujore, përditësimi i synuar do të mbetet i njëjti.

Ndryshimet janë të nevojshme për t'u mundësuar përdoruesve t'u dërgojnë mesazhe bizneseve përmes WhatsApp, tha kompania në një deklaratë. Përditësimet kryesisht kanë të bëjnë me bizneset që mbajnë dyqane në Facebook dhe komunikojnë me përdoruesit përmes WhatsApp. Rregullat e reja sqarojnë se komunikimet me këto biznese mund të strehohen në serverat e Facebook-ut.

Ky "është ndoshta hapi i parë për të fituar para dhe për të përfituar nga investimi i pabesueshëm që ata bënë në vitin 2014 kur Facebook bleu WhatsApp", tha Flepp i Threemas. "Siç e dimë të gjithë, të dhënat e përdoruesve janë floriri i kohës sonë. Unë mendoj se kjo është në të vërtetë thelbi i polemikave tani."

Sidoqoftë, ndryshimet nuk do të zbatohen në të njëjtën mënyrë në të gjithë botën. Ndryshimet për përdoruesit evropianë nuk i kanë detajet e njoftuara për rajone të tjera. Ndër të tjera, planet për të mundësuar llogaritë e Facebookut Pay në mënyrë që ata të "mund të paguajnë për gjërat në WhatsApp" nuk janë përfshirë në përditësimin për Evropën.

Ligjet për mbrojtjen e të dhënave në Evropë janë ndër më të fortat në botë. Në vitet e fundit, autoritetet evropiane të të dhënave kanë ndërmarrë veprime gjithnjë e më agresive kundër Big Tech.

Në Evropë, "personi duhet të shpjegojë me shumë kujdes se çfarë do të bëjë në të vërtetë me të dhënat që i jep personi ", tha Wiewiorowski, një koncept i njohur si "pranimi i informuar".

Por pranimi do të thotë që mund të tërhiqesh në çdo kohë. [...] Dhe nuk ke nevojë të shpjegosh asgjë, "shtoi ai." Ju thjesht mund të thoni, "Unë nuk jam dakord për gjërat për të cilat jam pajtuar më parë." Dhe tërheqja e pranimit duhet të jetë aq e lehtë sa ishte pranimi”.

Alternativat

Wiewiorowski theksoi se njerëzit duhet të vendosin vetë se cilat media sociale të përdorin më mirë. Shumë prej tyre po zgjedhin aplikacione të mesazheve që thonë se kanë mbrojtje më të mirë të të dhënave.

Përdoruesit e aplikacionit të mesazheve Signal mund të dërgojnë mesazhe private ose në grup, si dhe dokumente, fotografi dhe skedarë audio dhe video, të cilat janë të koduara nga skaji në skaj. Aplikacioni gjithashtu mundëson thirrje me zë dhe me video. Signal ka tiparin e privatësisë në ekran, mjete antimbikqyrje dhe mesazhe që zhduken.

Në politikën e drejtpërdrejtë të privatësisë të aplikacionit falas thuhet se të dhënat nuk janë të lidhura me identitetin e përdoruesit dhe as nuk ruhen në serverat e kompanisë. Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, e rekomandoi Signal, pasi WhatsApp njoftoi ndryshimin e politikës. Një javë më vonë, aplikacioni i mesazherit u bllokua dhe qëndroi i bllokuar për pjesën më të madhe të një dite. Në një twitter, Signal ia atribuoi vështirësinë teknike shtimit të përdoruesve të rinj.

Telegrami është një tjetër platformë falas që përdor kodimin nga një skaj në tjetrin. Aplikacioni përdor një infrastrukturë unike të shpërndarë, që i ndan çelësat përkatës të deshifrimit në dy pjesë, kështu që ato "nuk mbahen kurrë në të njëjtin vend me të dhënat që mbrojnë", sipas faqes së internetit të kompanisë.

Për shkak të natyrës së tij të sigurt, vitet e fundit Telegrami është bërë gjithnjë e më popullor në mesin e teoricienëve të konspiracionit dhe grupeve ekstremiste.

Threema me qendër në Zvicër është një aplikacion me burim të hapur (OpenSource), me kriptim nga fundi në fund. Themeluar nga krijues programesh kompjuterike, Threema lë sa më pak të dhëna të jetë e mundur në serverat e kompanisë. Një nga gjërat që e bën unikale Threeman është që çdo përdorues të identifikohet me një ID 8-shifror, veç numrin të telefonit celular, duke shtuar një nivel tjetër të privatësisë së të dhënave.

"Ajo që është me të vërtetë e veçantë për Threema-n," shton Flepp, "është se ne jemi një ofrues zviceran evropian. Pra, ne nuk nuk u nënshtrohemi ligjeve të SHBA."/ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Aksidentoi për vdekje me makinë një këmbësor të moshuar, arrestohet 23 vjeçari

Elbasan/ Aksidentoi për vdekje me makinë një këmbësor të moshuar, arrestohet 23 vjeçari