TIRANE -  Kryeministri Rama ka përkrahur sot masat e marra nga Policia e Shtetit për pezullimin e katër punonjësvetë rendit që vepruan arbitrarisht ndaj protestuesve dje, në tubimin pranë bllokut të ambasadave në Tiranë.

“Dje vrisnin njerëz dhe shpërbleheshin me rroga shtesë si heronj,”- shkruan Rama në Twitter,- “ndërsa sot gabojnë dhe pezullohen si të padëshirueshëm,” duke lënë të kuptohet qartë se cili është ndryshimi midis atyre që qeverisën dje dhe atyre që qeverisin sot.

Kësisoj, Rama i ka kthyer përgjigje edhe ish-Kryeministrit Berisha, që nëpërmjet një statusi në Fb, i konsideronte punonjësit e rendit, që ushtruan dhunë mbi protestuesit si “falanga banditësh me uniformë, urdhëruar nga Rama”.

BERISHA: FALANGAT E BANDITËVE ME UNIFORMË, EGËRSI ÇNJERËZORE NDAJ PROTESTËS

Ish-Kryeministri Berisha i ka konsideruar forcat e rendit, që ndaluan protestuesit e dhunshëm tek ambasada greke, si “falanga banditësh me uniformë, që me urdhër të Edi Ramës u vërsulën me egërsi çnjerëzore kundër qindra të rinjve”. Nëpërmjet Facebook, Berisha ka shpërndarë sot mesazhin e tij në të cilin shprehet:

“Dje, falanga banditësh me uniformë, me urdhër të Edi Ramës, u vërsulën me egërsi çnjerëzore kundër disa qindra të rinjve që protestonin në mënyrë paqësore për ekzekutimin me torturat me çnjerëzore, të Kudret Kumes, në burgun famëzi të Nigritës. Shkopinjtë e gomës, shqelmat, elektroshoku nuk kursyen vajzat, gazetarët dhe kalimtarët.”

Berisha i kushton vëmendje edhe rastit të gazetarit Armand Bajrami që po ndiqte protestën. Ai  shkruan : “Ai dje fotografoi policë, që rrihnin barbarisht brenda në furgonin e tyre të rinjtë dhe kjo mjaftoi që ata, për të fshehur krimin e tyre, ta merrnin forcërisht atë në rajon dhe t’i merrnin po me forcë, fotot dhe aparatin, duke e share se "nuk je bërë ti të na fusesh në burg, se ne të zhdukim fare". Dmth, Rama premton desaparesidos (të zhdukur)”- komenton ish-kreu i Qeverisë duke përsëritur në përfundim të shënimit të tij thirrjen “të gjithë në protesta kundër shtetit policor!”

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)