TIRANË - Punonjësit e Policisë së Shtetit i janë bashkëngjitur nismës së ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare, duke u bërë pjesë aktive e ditës së “Shqipërisë së Pastër “.

Në kuadër të kësaj nisme, sot në 20 prill, punonjësit e policisë në të gjithë Shqipërinë, të cilët nuk ishin të angazhuar me shërbim, janë angazhuar në pastrimin e zonave të ndryshme në vend.

Duke filluar nga ora 09.00 e ditës së sotme, punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë nisur punën në zona të ndryshme të kryeqytetit duke dhënë kontributin e tyre konkret në pastrimin e hapësirave të jashtme të Tiranës.

Sipas deklaratës zyrtare të policisë së shtetit, punonjësit i janë bashkëngjitur kësaj iniciative duke e konsideruar si mjaft të rëndësishme, në radhë të parë në shenjë sensibilizimi, e mbi të gjitha për rëndësinë jetike të ndryshimit të qëndrimit qytetar ndaj mjedisit.

(aq/shqiptarja.com)