Në raportin e publikuar një ditë më parë SPAK evidenton edhe lidhjet e krijuara me përfaqësues të policisë qoftë në nivel lokal, por dhe qendror, të cilët kanë ndihmuar grupet kriminale.

Avokat Kujtim Ibraj në “Studio Live” në Report Tv e quajti raportin e SPAK një kambanë që duhet të ngrejë në këmbë të gjithë strukturat e ministrisë së Brendshme.  

“Alarmi që vjen nga SPAK është shumë i rëndë. Disa herë e kemi ngritur me zë të madh pjesën e inkriminimit të forcave të policisë në struktura kriminale.”

“Cilat janë rrugët apo grupet ku përfshihen më shumë policët? Në trafikun e drogës sidomos në pjesën e transportit të drogërave të rënda. Në transportin e armëve në trafikun e qenieve njerëzore. Kjo është kambanë alarmi që duhet të ngrejë të gjithë strukturat e ministrisë së Brendshme në këmbë. Në policinë e shtetit shumë njerëz kanë dhënë jenë, pastrimi i të inkriminuarve është detyrë imediate”, shtoi ai në intervistën me Arbër Hitajn

Ndalur te arsyet që i çojnë policët të bashkëpunojnë me krimin e organizuar, një prej tyre përmendi rrogat e ulëta.

“Ajo që lë për të dëshiruar është pjesa e rrogave. Ana ekonomike është një nga arsyet kryesore, rrogat punësimi i familjarëve. Nëse një punonjës policie merr një rrogë 600-700 euro, gruan e ka pa punë ka dhe kalamaj mënyra e jetesës i vështirësohet. Janë pa banesa jetojnë me qira. Bonuset për shërbimet. Si dhe bonuset sipër shkallës së hierarkisë. Detyrë tjetër është siguracioni i jetës. Edukimi periodik në distancë i punonjësve të policisë është një tjetër detyrë”.

Ndërkaq avokati denoncoi se ka drejtues policie me pasuri miliona euro që e kanë ngritur nëpërmjet ryshfetit dhe korrupsionit.

“Ka punonjës, drejtues policie me pasuri marramendëse, që shkon në miliona euro. E gjithë kjo pasuri është vënë nëpërmjet ryshfetit korrupsionit e inkriminimit me organizata kriminale në trafikun e drogës dhe trafikun e armëve. Jetojmë në një vend të vogël ku shumë gjëra dihen por duhet vetëm të veprojnë. Drejtues policie kanë pasur përrallore hotele, apartamente, dyqane lokale që i kanë nën përdorim dhe sot pavarësisht fshehjes së pasurisë që kanë bërë.

I kanë në përdorim. Janë të tyre dhe i posedojnë në mënyrë të paligjshme. Nëse një drejtor policie për disa me një rrogë 1 mijë euro në muaj nuk ka sesi të ndërtojë një hotel në bregdet. Nuk ka sesi që të marrë një sipërfaqe toke 10 mijë metër katror dhe ta japë me kontratë sipërmarrjeje dhe të përfitojë mbi 30-40 apartamente e dyqane. Një kamuflim i tillë nuk shkon. AMP e ka detyrë që të merret me këto persona ti pastrojë dhe t’i çojë para SPAK”.