Policët spiunë, kodi dekonspirues
i operacionit: Ti je i zgjuar... ik!

Policët spiunë, kodi dekonspirues<br />i operacionit: Ti je i zgjuar... ik!
TIRANE-  Dy shefa të antikrimit ekonomik të policisë së Tiranës dhe Korçës janë pezulluar për rrjedhje të informacionit si edhe 3 inspektorë, me akuzën se kanë lajmëruar subjekte të ndryshme për operacionin. Njëkohësisht për oficerët e pezulluar mësohet se ka nisur procedim disiplinor dhe penal.

 Dekonspirimi gjatë operacionit “Fund Marrëzisë” për bllokimin e lokaleve të lojërave të fatit dhe basteve sportive që kryejnë evazion fiskal apo kanë shkelje të rregullave të vendndodhjes dhe funksionimit të tyre, ka sjellë pezullimin e dy shefave të antikrimit ekonomik dhe tre inspektorëve të tjerë të policisë, të cilët pritet të dërgohen për ndjekje penale. Burimet nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se të pezulluarit janë shefa të antikrimit ekonomik në Tiranë dhe Korçë, pasi siç deklarohej që një ditë më parë, ata dyshohet se kanë lajmëruar subjekte të ndryshme për operacionin.

Nga ana tjetër, nga verifikimi i kryer për subjektet e bllokuara janë dërguar për ndjekje penale 17 subjekte private. Ministria e Brendshme deklaroi zyrtarisht se krahas goditjes së aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe pikave të basteve, gjatë operacionit “Fund marrëzisë”, paralelisht ka nisur edhe verifikimi i aktivitetit të drejtuesve të policisë në bazë në përmbushje të detyrave ligjore për realizimin e planit të masave të hartuar për këtë operacion.

“Nisur nga konstatimet e bëra për një numër shkeljesh ligjore gjatë operacionit, me urdhër të ministrit Saimir Tahiri, SHKB ka nisur hetimet në të gjithë sektorët e luftës kundër krimit ekonomik, të cilët me mosveprimet e tyre në përmbushje të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme, u kanë krijuar mundësinë subjekteve të ndryshme të fshehin aktivitetin e tyre të paligjshëm”, deklaroi zyrtarisht këshilltari i ministrit, Florion Serjani.

Sipas të dhënave, në këtë kuadër janë pezulluar dhe po hetohen për shpërdorim detyre dhe rrjedhje informacioni shefat e seksioneve të antikrimit ekonomik, në Tiranë dhe Korçë, pikërisht Ervin Dalipaj dhe Olsi Muçi. Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është duke hetuar veprimtarinë e deritanishme të strukturave përkatëse të policisë, që kanë favorizuar në mënyrë të hapur lulëzimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. “Në përfundim të këtij hetimi do të përcaktohen edhe përgjegjësitë konkrete për çdo strukturë apo punonjës policie”, tha Ministria e Brendshme. Këto masa pasojnë pezullimin e shefit të postës së policisë në Qytetin Studenti.

Arsen Sinomati u shkarkua nga ministri Saimir Tahiri, pasi gjatë inspektimit të operacionit, atë nuk e bindën masat e marra nga komandanti i postës. Operacioni ka vijuar edhe gjatë ditës së martë, duke verifikuar një më një të gjitha subjektet. Oficerët e policisë gjyqësore vijojnë të verifikojnë një për një dokumentacionet dhe deri pasditen e të martës kishin proceduar penalisht 17 subjekte dhe proceduar 17 persona.
 
Subjektet dhe paisjet e sekuestruara
Në qarkun Tiranë:
janë bllokuar 235 subjekte, janë kontrolluar 32 subjekte, janë proceduar penalisht 17 subjekte dhe 17 persona, janë sekuestruar 90 pajisje lojëra fati.
Në qarkun Durrës:
janë bllokuar 53 subjekte, janë kontrolluar 60 subjekte, janë proceduar penalisht 9 subjekte dhe 8 persona, janë sekuestruar 78 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 2 kompjuter e 9 monitor.
Në qarkun Lezhë:
Janë bllokuar 33 subjekte, janë kontrolluar 11 subjekte, janë proceduar penalisht 10 subjekte dhe 11 persona, janë sekuestruar 93 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 3 kompjuter e 3 monitor.
Në qarkun Shkodër:
Janë bllokuar 25 subjekte, janë kontrolluar 43 subjekte, janë proceduar penalisht 5 subjekte dhe 5 persona, janë sekuestruar 14 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 11 kompjuter.
Në qarkun Kukës:
Janë bllokuar 6 subjekte, janë kontrolluar 12 subjekte, janë proceduar penalisht 3 subjekte dhe 3 persona, janë sekuestruar 31 pajisje lojëra fati.
Në qarkun Dibër:
Janë bllokuar 17 subjekte, janë kontrolluar 21 subjekte, është proceduar 1 subjekt dhe 1 person, si dhe është sekuestruar 1 pajisje lojëra fati.
 Në qarkun Elbasan:
Janë bllokuar 32 subjekte, janë kontrolluar 127 subjekte, janë proceduar 24 subjekte dhe 24 persona, janë sekuestruar 81 pajisje lojëra fati, si dhe në pikat e basteve janë sekuestruar 6 kompjuter dhe 13 monitor.
Në qarkun Korçë:
Janë bllokuar 20 subjekte, janë kontrolluar 34 subjekte, janë proceduar 7 subjekte dhe 7 persona, janë sekuestruar 75 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 14 kompjuter dhe 48 monitor.
Në qarkun Berat:
Janë bllokuar 12 subjekte, janë kontrolluar 54 subjekte, janë proceduar 15 subjekte dhe 15 persona, janë sekuestruar 19 pajisje lojëra fati, si dhe në pikat e basteve janë sekuestruar 7 kompjuter dhe 6 monitor.
Në qarkun Fier:
Janë bllokuar 33 subjekte, janë kontrolluar 12 subjekte, janë proceduar 10 subjekte dhe 10 persona, janë sekuestruar 64 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në pikat e basteve 7 kompjuter dhe 8 monitor.
Në qarkun Gjirokastër:
Janë bllokuar 23 subjekte, janë kontrolluar 74 subjekte, është proceduar 1 subjekt dhe 1 person, janë sekuestruar 4 pajisje lojëra fati.
Në qarkun Vlorë:
Janë bllokuar 47 subjekte, janë bllokuar 44 subjekte, janë proceduar 14 persona dhe 14 subjekte, janë sekuestruar 34 pajisje lojëra fati, si dhe janë sekuestruar në Pikat e basteve 7 kompjuter dhe 16 monitor.
 
Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë