Pak orë pas publikimit të një video, ku një efektiv i qarkullimit rrugor në Kavajë lejon të 'shpëtojë pastër" një shofer i cili nuk kishte siguracion makine, Drejtoria e Policisë Tiranë urdhëron pezullimin e tij nga detyra. 

"Pas publikimit në median online "Jetaoshqef" të videos ku shfaqen pamjet e një punonjësi policie të qarkullimit rrugor të dyshuar për veprime korruptive, Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të punonjësit të Qarkullimit Rrugore, Inspektorit A. K. Njëkohësisht është filluar një proces disiplinor për efektin e Policisë për shkelje të rëndë të detyrës,"  thuhet në deklaratën e policisë.
 
Efektivi rrugor, pranoi që të merrte 2 mijë lekë nga shoferi që kishte ndaluar dhe u mjaftua vetëm duke e këshilluar atë.
 
Në fakt, akti korruptiv është filmuar nga një kamera amatore dhe jo nga kamera e trupit të policit.