VLORË-  Policia e Vlorës dhe RENEA kanë ndërmarrë sërish një operacion kontrolli mbrëmjen e sotme (2 tetor 2023) në qytetin bregdetar të Vlorës.

Burime për Report Tv dhe Shqiptarja.com bëjnë me dije se kontrollet janë në disa lagje të qytetit dhe se deri tani janë 14 persona të shoqëruar.

Aksioni i ndërmarrë nga forcat RENEA ka qenë i befasishëm dhe është mbështetur edhe nga forcat operacionale.

Gjatë kontrolleve është bllokuar dhe një mjet I blinduar si dhe dy mjete të tjera të tipit ML dhe Range Rover. Mësohet se policia do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në makina, informon gazetari Armand Xhelili. 

Tre javë më parë u ndërmor një aksion i tillë që çoi në arrestimin e 6 personave pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në Vlorë.

Gjatë kontrollit blic të forcave speciale të ndërmarë më 18 shtator 2023 u arrestua Satilno Bashon, Mariglen Aliajn, Bruno Shehun, Mehmet Hoxhajn, Beraldo Xhindin dhe Kevin Metajn si dhe sekuestroi 2 pistoleta, fishekë, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë. 

 Arrestimi i 6 personave u krye në një lokal,  në bulevardin Vlorë-Skelë.