Lehtësimi i masave për parandalimin e Covid19 dhe rikthimi në normaliteti i qarkullimit rrugor ka rikthyer shkeljet nga ana e drejtuesve të automjeteve. Kështu në vetëm 3 javë patrullime në kryeqytet Policia Bashkiake ka ndërmarrë 5000 gjoba për parkime të gabuara.

Report TV bëri një vëzhgim në disa prej akseve kryesore të Tiranës ku parkimet e gabuara apo parkimet dysh i konstaton kudo me drejtuesit e automjeteve që parkojnë ku të munden, në korsitë e biçikletave apo në zona të tjera të dedikuara.

Më problematike situate paraqitet në zonat më të populluara të Tiranës ku edhe qarkullimi i automjeteve është më i shtuar.

Shpesh herë kjo sjellje e drejtuesve të automjeteve duke parkuar kudo ndikon edhe në krijimin e trafikut të rënduar  në rrugët e kryeqytetit.

Për rreth 3 muaj drejtuesit e automjeteve janë toleruar duke mos u gjobitur në rast të parkimeve të ndaluara apo edhe shkeljeve të tjera për shkak se lëvizja e automjeteve ka qenë e kufizuar si pasojë e masave shtrënguese për parandalimin e Covid19.

Tashmë teksa gjithçka duket se po i rikthehet normalitetit drejtuesit e automjeteve duhet të jenë të kujdesshëm pasi policia rrugore dhe ajo bashkiake kanë nisur evidentimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor me masat administrative që varjojnë nga 1000 deri në 4000 lekë.