Një projektligj i ri për Policinë Bashkiake sjell transformim rrënjësor të këtij institucioni, duke e larguar ndjeshëm nga modeli aktual i një strukture thjesht administrative në varësi të bashkive dhe duke e afruar drejt një organizimi të unifikuar në nivel kombëtar, me hierarki, standarde dhe kontroll të centralizuar shtetëror.
Ndryshe nga ligji i mëparshëm, i cili e parashikon Policinë Bashkiake si një strukturë administrative të çdo bashkie, pa një drejtim qendror dhe me organizim të miratuar nga kryetari i bashkisë, projektligji i ri e shpall atë institucion të administratës publike me status të veçantë. Për herë të parë krijohet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Bashkiake në nivel qendror, duke vendosur një organizim me 2 nivele, ku struktura vendore, në këtë rast bashkitë, lidhet drejtpërdrejt me një autoritet qendror. Ky ndryshim shënon kalimin nga një polici bashkiake e fragmentuar dhe e decentralizuar, drejt një strukture kombëtare të unifikuar. Mënyra e buxhetimit nuk ndryshon, alokimi i fondeve do të bëhet nga bashkia për policinë e saj përkatëse bashkiake.
Një tjetër risi e rëndësishme lidhet me rolin e ministrit përgjegjës për rendin dhe të prefektit. Në ligjin aktual, ministri ka rol thuajse formal, ndërsa prefekti nuk ushtron kompetenca reale mbi Policinë Bashkiake. Projektligji i ri, përkundrazi, i jep ministrit rol drejtues politik dhe teknik, duke i njohur kompetencën për të përcaktuar politikat kombëtare, për të nxjerrë udhëzime detyruese dhe për të standardizuar procedurat. Prefekti, nga ana tjetër, shndërrohet në një hallkë kyçe koordinuese mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, me të drejtë për të ndërhyrë në konfliktet e kompetencave dhe për të raportuar periodikisht mbi situatën e sigurisë. Në thelb, projektligji rrit ndjeshëm kontrollin shtetëror mbi këtë strukturë vendore.
Zgjerimi i kompetencave është një nga pikat ku diferenca mes ligjit aktual dhe projektligjit bëhet më e dukshme. Aktualisht, Policia Bashkiake ushtron funksione të kufizuara, kryesisht në fushën e kundërvajtjeve administrative, menaxhimit të hapësirave publike, bashkëjetesës në komunitet dhe mbrojtjes së mjedisit. Ndërsa projektligji i ri i shton asaj një sërë kompetencash të reja, duke përfshirë sigurinë në plazhe dhe ujëra, kontrollin e zhurmave, ndihmën në raste emergjencash, sigurimin e aktiviteteve sportive, mbështetjen për strehimin social, asistencën në proceset zgjedhore për heqjen e materialeve propagandistike, si dhe ndërhyrjen mbështetëse në rastet e ndërtimeve pa leje.
Për herë të parë me drejtor të përgjithshëm, emërimi i të cilit do të bëhet me propozim të ministrit të Brendshëm nga Këshilli i Ministrave. Ndryshime thelbësore prekin edhe marrëdhëniet e punës dhe mënyrën e rekrutimit. Në ligjin aktual, përzgjedhja e punonjësve kryhet nga bashkia dhe komisionet drejtohen nga kryetari i bashkisë, pa standarde të unifikuara për nivelet drejtuese. Projektligji ndërkohë parashikon rekrutim përmes portalit unik kombëtar, me përfshirjen e ministrisë në komisionet e përzgjedhjes, duke vendosur nivele të qarta drejtimi, të ulët, të mesëm dhe të lartë, si dhe kritere të diferencuara arsimore dhe kërkesa për eksperiencë profesionale. Një element i ri është edhe kushti që punonjësi i Policisë Bashkiake të jetë rezident në bashkinë ku shërben.
Marrëdhënia me Policinë e Shtetit gjithashtu pëson qartësim. Ndërsa ligji aktual flet për një bashkëpunim të përgjithshëm pa hierarki të përcaktuar, projektligji parashikon bashkërendim operacional, asistencë të ndërsjellë dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit në rastet komplekse. Konfliktet mes strukturave pritet të zgjidhen nga prefekti dhe drejtuesit qendrorë, duke vendosur një linjë më të qartë hierarkike. Edhe identiteti institucional ndryshon. Nga përdorimi i simboleve të bashkisë, siç parashikohet aktualisht, projektligji kalon në një identitet të standardizuar, me uniformë, stemë dhe flamur të miratuara nga Këshilli i Ministrave, duke forcuar më tej karakterin kombëtar të Policisë Bashkiake.
Komente











