Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Inspektorati i Përgjithshëm kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, krimeve mjedisore, punës së paligjshme dhe shkeljeve në tregun e punës, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, barnave dhe pajisjeve mjekësore.

Skënder Hita dhe Dashnor Sula vlerësuan se kjo marrëveshje përfaqëson një angazhim të përbashkët për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për rritjen e besimit të publikut, nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm.

“Kjo nuk është thjesht një marrëveshje në letër, por fryt i bashkëpunimit dhe shprehjes së vullnetit tonë për luftimin e gjithë fenomeneve sa u përket inspektoriateve që nga ndërtimet pa leje, shërbimet e AKU e deri te Inspektorati Pyjor e më tej. Bashkëpunimi midis nesh dhe gjithë inspektorateve do të jetë në nivel lokal dhe nuk do të mungojë në asnjë moment e asnjëherë”, tha Hita.

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të mbështetur Inspektoratin, në nivel qendror dhe lokal, si dhe çdo institucion tjetër, me qëllim zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë së jetës për qytetarët. 

Sula vuri theksin te rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të garantimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi, forcimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjes së interesit publik, si dhe parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në fushat me interes të përbashkët.

“Ka shumë rëndësi që organet ligjzbatuese të kenë ndërveprim e bashkëpunim të ngushtë e të përditshëm sepse interesi është zbatimi i ligjit, siguria e qytetarëve. Jam i bindur se do të bëjmë një punë jashtëzakonisht të mirë”, tha Sula.

Fokusi i kësaj marrëveshjeje do të jetë veçanërisht mbështetja e inspektimeve të strukturave të Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektorateve qendrore dhe vendore, si dhe strukturave të tjera inspektuese, në sektorë me risk të lartë, si: ndërtimet pa leje, krimet mjedisore, siguria ushqimore, barnat dhe pajisjet mjekësore, puna e paligjshme dhe shkeljet në tregun e punës, duke garantuar ndërhyrje të koordinuar dhe efektive gjatë ushtrimit të detyrës, në rastet e rezistencës fizike, pengimit në kryerjen e detyrave apo për mbrojtjen e personelit, nga subjektet e proceduar të inspektimit apo individë të ndryshëm.

Gjithashtu, marrëveshja synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe unifikimit të praktikave të punës, si dhe informimin e publikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe respektimin e konfidencialitetit.