Policia bën bilancin: U sulmuan 14 KZAZ, 12 të arrestuar mes tyre 3 policë bashkiakë, 20 në kërkim (EMRAT)

Policia e Shtetit jep informacion rreth tensioneve gjatë ditës së sotme ku janë sulmuar 14 KZAZ nga administrata e bashkive të djathta në vend duke u konfrontuar me dhunë me policinë. Uniformat blu bëjnë me dije se janë arrestuar 12 persona, 20 të tjerë janë shpallur në kërim dhe janë shoqëruar 29 persona. Mes të arrestuarve janë edhe 3 policë të Policisë Bashkiake.

Njoftimi i plote i Policise:

Sulmet ndaj KZAZ, 12 të arrestuar, 20 shtetas janë shpallur në kërkim, 29 janë shoqëruar në Polici dhe 7 ndiqen në gjendje të lirë.

Në 24 orët e fundit, të paktën 14 KZAZ janë bërë objekt i sulmeve dhe dëmtimit, udhëhequr kryesisht nga subjektet politike opozitare, e shpesh në krye të sulmeve për fat të keq janë evidentuar edhe funksionarë të bashkive, ish-deputetë dhe punonjës të policive të tyre bashkiake.

Ata akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “Kundërshtimi i Punonjësit të Rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të Punonjësit të Rendit publik”.

Aktet më të rënda janë regjistruar në KZAZ në Bashkinë Shkodër, ku disa shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin  kanë kryer veprime aktive, për të djegur me zjarr shkollën “Shejnaze Juka” dhe materialet zgjedhore që ndodheshin në ambientet e kësaj shkolle.

Gjithashtu ata kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, të vendosur për të garantuar mos-prekjen e materiale zgjedhore.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia ka dokumentuar përmes identifikimit me anë të pamjeve filmike dhe fotografike, autorët të dyshuar si të implikuar në këto akte anti ligjore.

Kështu Policia e Shkodrës arrestoi në flagrancë 5 persona, konkretisht:

  • Gentian Bytyqi – polic i bashkisë Shkodër
  • Alfred Nikolli- polic i bashkisë Shkodër
  • Adi Garuci – specialist i bujqësisë, bashkia Shkodër
  • Aleks Ndoj – polic i bashkisë
  • Orlando Thepi

Mes 14 personave të shpallur në kërkim janë edhe ish-deputetë të zonës, anëtarë të Këshillit bashkiak si dhe punonjës të Bashkisë Shkodër. Ndërkohë 2 shtetas të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Në lidhje  me dëmtimin e materialeve zgjedhore në KZAZ e Bashkisë Tropojë,  tek Muzeu Historik, janë arrestuar në flagrancë 7 persona, konkretisht;

 

  • Ilir Margjekaj, Punonjës i Bashkisë Tropojë, tek Pastrim-Gjelbrimi.
  • Haxhi Gjidia, Punonjës i Bashkisë Tropojë, tek Pastrim-Gjelbrimi.
  • Bledar Pepkolaj,
  • Arjan Gabraj,
  • Ndricim Ndrepepaj,
  • Amarildo Gecaj,
  • Armando Gecaj.

Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Ata janë:

  • Isuf Çelaj, ish-deputet i partisë demokratike.
  • Besnik Dushaj, Kryetar i Bashkisë, Tropojë.
  • Fatos Buçpapaj, Kryetar i Njësisë Administrative Bujan.
  • Gëzim Gjoni, Kryetar i Njësisë Administrative Fierzë.
  • Azgan Haklaj

Gjithashtu janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Pas sulmit dhe tentativës për të dëmtuar materialet zgjedhore në KZAZ në Kamzë janë shoqëruar 15 persona dhe po kryhen veprime hetimore ndaj tyre.

Ndërsa Policia e Dibrës ka shoqëruar 14 shtetas pas sulmeve në dy KZAZ në Burrel dhe Klos, ku janë dëmtuar e djegur materiale zgjedhore.

Policia e Shtetit mbetet tërësisht e angazhuar dhe në krye të detyrës në përgjegjësinë për mbrojtjen dhe garantimin e ligjit dhe sigurinë e qytetarëve.

Policia e Shtetit, e ka detyrë ligjore garantimin dhe mbarëvajtjen e të gjithë procesit zgjedhor, para, gjatë dhe pas përfundimit të procesit, dhe në këtë kuadër Policia e Shtetit është e detyruar të marrë masa në zbatim të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Askush nuk mund t’i fshihet përballjes me ligjin dhe për këdo që e shkel atë, janë kryer dhe do të kryhen edhe në vijim të gjitha veprimet procedurale ligjore për ndëshkimin sipas parashikimeve të Kodit Penal.


Lajmi kryesor:

12 të arrestuar për sulmet e KZAZ-ve, 20 në kërkim! Arrestohet 'live' ish-deputeti i PD-së (VIDEO)


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare