TIRANË, 21 Dhjetor/ATSH/.- Policia e Shtetit reagoi sot ndaj deklaratave të opozitës, duke shprehur angazhimin për të mos toleruar asnjë shkelje të paligjshmërisë në vend, ndërsa siguroi se do të rrisë standardet e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas një deklarate për shtyp të Policisë, treguesi më i qartë i këtij angazhimi janë rezultatet e arritura gjatë vitit 2014 ku me 19.7% është ulur numri i krimeve të rënda kundër personit; numri i vrasjeve është ulur në masën e 11.4%; me 54.8% janë ulur vjedhjet me armë; me 66.7% janë ulur vjedhjet me armë me pasojë vdekjen; ndërsa me 30.5 % është ulur numri i krimeve të rënda kundër pronës.
"Garantimi i jetës dhe pronës së qytetarëve ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i punës së Policisë së Shtetit, e cila po ashtu është e fokusuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore për kontrollin e territorit", thuhet në deklaratën e Policisë.
Sipas saj, qëndrimet e opozitës sot janë vetëm një përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur paligjshmërinë që e ngritën vetë gjatë 8 viteve të qeverisjes.
"Ministria e Brendshme siguron opinionin publik se koha e kaosit ligjor dhe e të paprekshmëve ka përfunduar një herë e mirë. Sot është koha e ndërtimit të shtetit ligjor dhe e shtetit të vlerave europiane", përfundon deklarata e Policisë së Shtetit. /a.s//m.m/