Dy persona, një 21-vjeçar nga Fushë-Kruja dhe një 51-vjeçar nga Tirana, kanë rënë në prangat e Policisë së Durrësit, për grabitje me armë zjarri.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se 21-vjeçari, në banesën e të cilit gjatë kontrolleve u gjetën edhe 2 armë zjarri, ka hyrë për të grabitur në një banesë në fshatin Radë. Ai është arrestuar në tentativë për t’u larguar.
Ndërkohë 51-vjeçari, në dy raste në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, ka grabitur dy shtetas që i transportonte me automjetin e tij taksi.
Materialet për ngjarjet e mësipërme iu referuan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Vijojnë veprimet e thelluara hetimore dhe operacionale për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve me dhunë e me armë të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve.
Gjatë 24 orëve të fundit, nga DVP Durrës u finalizuan dy operacione policore të koduara “Rada” dhe “Bashkëpunëtori”.
Identifikohen dhe vihen në pranga dy shtetas
Sekuestrohen dy armë zjarri.
Në vijim të punës së pandërprerë për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë nën kërcënimin e armës, strukturat hetimore të DVP Durrës kanë bërë të mundur që, brenda 24 orëve të fundit, të finalizojnë dy operacione policore për zbardhjen e këtyre vjedhjeve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në to.
1-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rada”, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit M. F., 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 19.06.2026, rreth orës 02:30, ky shtetas, i maskuar dhe me armë zjarri automatike, ka hyrë për të vjedhur në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë.
Gjatë operacionit, në zonën e Krujës, 21-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri.
2-Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunëtori”, të zhvilluar dhe finalizuar nga shërbimet e DVP Durrës, u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit R. K., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin T. M. (i arrestuar dje në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksimetri”), në dy raste ka vjedhur me dhunë, në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, dy shtetas që i transportonte me automjetin e tij taksi.
Nga veprimet e thelluara hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike është bërë i mundur dokumentimi ligjor i ngjarjeve, ku shtetasi R. K. shërbente si transportues i shtetasit T. M., i cili vidhte me dhunë taksistë të tjerë në qytete të ndryshme, si Tiranë, Krujë dhe Durrës
Gjatë kontrollit të banesës dhe garazhit të shtetasit të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që e lidhin me këto ngjarje.
Materialet për ngjarjet e mësipërme iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Komente





