PRISHTINE, 12 nentor/ATSH/. - Policia e Kosovës ka arritur që të bëjë shkatërrimin e municionit pa ndihmën e KFOR-it, apo edhe institucioneve tjera. Kjo, falë ekspertëve në Kosovë që janë trajnuar për këtë çështje, ben te ditur KosovaPress.
Ekspertet kanë bërë sot shkatërrimin e municionit të grumbulluar gjatë vitit të kaluar, që është në kuadër të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Kontrollimin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta 2013 - 2016, e ndihmuar nga UNDP.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e ka quajtur si shumë të rëndësishme ditën e sotme. Rexhepi tha se ky rast tregon përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të kontrollojnë dhe të konfiskojnë sa më tepër armë ilegale dhe municion, që është në duar të paautorizuara.
Ndërsa, zëvendës-përfaqësuesja e Përhershme UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, tha se një ngjarje e tillë dëshmon konkretisht zotimin e faktorëve relevantë për të përmirësuar sigurinë.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni, theksoi se shkatërrimi i municioneve ka një ndikim shumëdimensional jo vetëm për institucionet e Republikës së Kosovës, që me këtë ngjarje avancojnë ngritjen e kapaciteteve të cilat i shfrytëzojnë në realizimin dhe arritjen e objektivave, në ofrimin e sigurisë për qytetarët vendit. /a.ke/










