Kultivimi i kanabisit, siguria rrugore dhe fluksi në rritje i turistëve vijojnë të jenë sfidat kryesore për policinë në qarkun e Shkodrës. Të dhënat e muajit majj u konfirmuan nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Drejtues Gentian Berberi dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin me Migracionin Shkodër Kryekomisar Agim Basha, gjatë një konferencë për shtyp ku bien në sy mijëra bimë narkotike të asgjësuara, katër viktima në aksidente rrugore dhe një numër rekord lëvizjesh në pikat kufitare.

Më shumë vepra penale, 33 të arrestuar

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, gjatë muajit maj janë evidentuar 213 vepra penale, nga të cilat 96.7% janë zbuluar. Për këto raste janë identifikuar 199 autorë, ku 33 persona janë arrestuar ose ndaluar, 161 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 5 janë shpallur në kërkim. Krahasuar me muajin prill, numri i veprave penale është rritur me 34 raste.

Gjatë kësaj periudhe, policia ka zhvilluar 9 operacione në fusha të ndryshme, duke goditur veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët, krimet ekonomike, lojërat e fatit, kultivimin e bimëve narkotike dhe kapjen e personave në kërkim.

Si rezultat i këtyre operacioneve janë sekuestruar një armë zjarri, 982 fishekë, 1.586 gramë kanabis, 12.1 gramë kokainë, pesë kompjuterë të përdorur për lojëra fati, si dhe shuma parash në lekë dhe valutë.

Ndërkohë, edhe strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit kanë referuar në Prokurori 12 vepra penale gjatë muajit maj. Sipas bilancit, 3 raste lidhen me narkotikët, 4 me krimet kundër mjedisit, 3 me kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror dhe 2 me trafikimin e automjeteve.

Në kuadër të këtyre hetimeve janë sekuestruar dy automjete, njëri prej të cilëve rezultoi i vjedhur në Francë, ndërsa tjetri kishte ndërhyrje në numrin e shasisë. Autorët e këtyre rasteve po ndiqen në gjendje të lirë, në përputhje me procedurat ligjore.

Mbi 3 mijë bimë kanabisi të asgjësuara

Një nga problematikat që vijon të shqetësojë autoritetet e Shkodrës është kultivimi i kanabisit. Gjatë muajit maj mësohet se janë referuar 17 raste të kësaj veprimtarie kriminale, 12 më shumë se një muaj më parë. Në terren oficerët e policisë kanë asgjësuar 3394 bimë narkotike dhe 571 fidanë kanabisi në kubikë, ndërsa kontrollet me dronë dhe në terren janë intensifikuar në të gjithë qarkun.

Policia ka evidentuar gjithashtu 6 raste të krimeve mjedisore dhe 17 raste që lidhen me shkelje të regjimit juridik të tokës, për të cilat janë proceduar autorët përkatës.

Katër viktima në aksidente gjatë muajit maj

Një tjetër shqetësim mbetet siguria në rrugë. Gjatë muajit maj janë regjistruar katër aksidente rrugore me pasojë vdekjen e katër personave. Ndërkohë janë evidentuar 35 raste të drejtimit të mjeteve në mënyrë të parregullt, 10 më shumë se gjatë muajit prill, ndërsa 10 drejtues mjetesh kanë përfunduar në pranga.

Policia bën të ditur se me afrimin e sezonit veror janë shtuar monitorimet inteligjente në akset kryesore dhe kontrollet për shkeljet që cenojnë sigurinë rrugore.

Mbi 460 mijë persona kaluan kufirin në një muaj

Paralelisht me punën e Policisë së Shkodrës, edhe strukturat e Kufirit dhe Migracionit janë përballur me një rritje të ndjeshme të fluksit të lëvizjeve.

Vetëm gjatë muajit maj në pikat kufitare të qarkut janë përpunuar 461 511 shtetas dhe 200 616 automjete. Mesatarisht, çdo ditë kanë kaluar kufirin afro 15 mijë persona dhe mbi 6 mijë automjete, ndërsa dita me fluksin më të lartë ka regjistruar mbi 21 mijë udhëtarë.

Për të përballuar sezonin turistik, policia kufitare ka shtuar sportelet në Muriqan dhe Hani i Hotit, ndërsa po instalohen pajisje të reja teknologjike për të përshpejtuar procedurat e kalimit.

Masa të shtuara për sigurinë në Velipojë

Policia Kufitare ka bërë të ditur se gjatë sezonit veror vëmendje e veçantë po i kushtohet plazhit të Velipojës dhe zonave ujore.

Për monitorimin e sigurisë janë angazhuar 35 punonjës policie, patrulla ujore me jet ski, skafë dhe gomone, ndërsa kontrollet po kryhen edhe me dronë.

Gjatë muajit maj është bllokuar një mjet lundrues dhe është vendosur një gjobë prej 100 mijë lekësh për shkelje të perimetrit të sigurisë në det.

Rriten aplikimet për leje qëndrimi

Paralelisht me masat e sigurisë kufitare, Sektori i Migracionit ka vijuar punën për administrimin e migracionit të ligjshëm dhe trajtimin e rasteve të migracionit të parregullt.

Gjatë muajit maj janë regjistruar 461 aplikime online për leje qëndrimi nëpërmjet sistemit e-Albania, me rritje krahasuar me muajin paraardhës. Janë procesuar 318 praktika aplikimi, ndërsa janë miratuar 269 leje qëndrimi, duke shënuar pothuajse dyfishim të numrit të lejeve të miratuara krahasuar me muajin prill. Gjithashtu, 173 shtetas të huaj kanë aplikuar për pajisje me leje biometrike.

Në fushën e migracionit të parregullt janë trajtuar 28 raste, ku janë përfshirë 138 shtetas të huaj. Të gjithë këta shtetas janë trajtuar sipas procedurave ligjore dhe janë pajisur me urdhra largimi vullnetar.

Teksa Shkodra po hyn në kulmin e sezonit turistik, policia thotë se do të shtojë praninë në rrugë, në zonat turistike dhe në kufi, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, pushuesit dhe turistët që vizitojnë qarkun gjatë muajve të verës.