Policia e shtetit-Frontex, bashkëpunim dypalësh

Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, zhvilloi sot një takim me Zëvendësdrejtori e FRONTEX,  Berndt KOERNER, në kuadër të të cilit u nënvizua forcimi i bashkëpunimit dy palësh dhe ngritja e tij në një nivel më të lartë.
 
Gjatë këtij takimi u evidentua bashkëpunimi i deritanishëm mes Policisë së Shtetit dhe FRONTEX, si dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit për çështje në interes dypalësh.
 
Jaupi vlerësoi asistencën e vazhdueshme të FRONTEX, në mënyrë të veçantë për Policinë e Kufirit dhe Migracionit, si dhe për ekspertizën dhe trajnimin e strukturave të Policisë Kufitare Shqiptare për eskortimin në operacione të kthimit.
Punonjësit e strukturave të Policisë Kufitare dhe Migracionit kanë marrë pjesë aktive në Operacionet e Përbashkëta të organizuara nga FRONTEX, ku në kuadër të këtyre operacioneve, bëhet një ndërthurje e punonjësve të Policisë Kufitare të Shqipërisë në vendet e BE dhe ekspertëve të vendeve të BE, që vendosen në vendin tonë, duke dhënë ndihmesën e tyre nëpërmjet eksperiencës dhe praktikave më të mira të vendeve të tyre në fusha të ndryshme si: kontrolli në vijën e dytë, dokumentet e falsifikuara, zbulimi i automjeteve të vjedhura etj.
 
Nga ana e tij Zëvendësdrejtori i FRONTEX konfirmoi mbështetjen e tij për Policinë Shqiptare dhe vlerësoi projektligjin e ri për kontrollin kufitar, i cili do të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin e BE në përgjithësi dhe specifikisht me Kodin e Kufijve Schengen, për të siguruar një kontroll kufitar të standardeve evropiane dhe për të përballuar sfidat e  sigurisë kufitare.
 
Zëvendësdrejtori i FRONTEX zhvilloi takim edhe në nivel ekspertësh me përfaqësues të Policisë së Kufirit e Migracionit.
Prioritet i këtij takimi ishin çështjet e dakordësuara në takimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit në zyrat e FRONTEX në Varshavë, konkretisht marrëveshja e bashkëpunimit mes Policisë Kufitare e Migracionit dhe FRONTEX, ku në këtë drejtim është hartuar edhe drafti përkatës.
 
Njëherazi u diskutua mbi mundësinë e pjesëmarrjes së forcave të Policisë Kufitare Shqiptare në Operacione eskortimi-kthimi të shtetasve të ndryshëm drejt vendeve të origjinës, kjo falë eksperiencës së përfituar në kuadër të trajnimeve të zhvilluara nga FRONTEX, për të cilën është i nevojshëm jo vetëm fuqizimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi me vendet anëtare të FRONTEX, por dhe rishikimi i detajeve teknike dhe legjislative për ta lehtësuar atë, nën koordinimin e FRONTEX.

Përfaqësuesit e Policisë Kufitare dhe Migracionit, me numrin e trajnuesve në rritje të përgatitur nga FRONTEX, shprehën dakordësinë dhe vullnetin për të marrë pjesë së bashku me FRONTEX në shpërndarjen e këtyre njohurive në trajnimet, që mund të bëhen për këtë çështje në vendet e tjera të rajonit.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari