Policia e Shtetit jep shifrat: Gjatë muajit prill janë finalizuar 96 operacione policore, u arrestuan 565 qytetarë

Policia e Shtetit jep shifrat: Gjatë muajit prill janë finalizuar 96 operacione policore, u arrestuan 565 qytetarë

Policia e Shtetit

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e muajit prill, gjatë të cilit janë finalizuar 96 operacione policore, nga të cilat u vunë në pranga 565 persona.

Përgjatë këtij muaji, falë masave të marra nuk janë evidentuar ndonjë problematikë gjatë zhvillimit te aktiviteteve nga partitë politike,në kuadër të fushatës zgjedhore, por janë goditur 96 raste të veprimtarive të ndryshme kriminale, si dhe janë vënë në pranga 565 persona,70 prej tyre të kërkuar kombëtarisht apo ndërkombëtarisht.

Gjatë muajit prill 2023

U bë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 19 prill, në Shëngjin, ku u vra me armë zjarri një 51-vjeçar, në lokalin e tij.4 prej autorëve të dyshuar u vunë në pranga, në Britaninë e Madhe, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Ndërkohë vijon bashkëpunimi, për kapjen e 2 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera të Policisë janë finalizuar 6 operacione, për zbardhjen e 2 vjedhjeve të kryera me anë të kanosjes me armë, në Kamëz dhe në Vlorë, dhe për zbardhjen e 4 ngjarjeve të ndryshme kriminale të ndodhura më parë.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka parandaluar përshkallëzimin e 4 konflikteve me armë zjarri dhe të 5 konflikteve të tjera me mjete të mprehta.

Në veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve u goditën 114 raste, 24 prej tyre operacione policore të mirorganizuara, që goditën në fazë fillestare, tentativat për kultivim të bimëve narkotike, në sera dhe në terren të hapur. Rreth 3630 fidanë kanabisi u asgjësuan dhe 300 fara kanabisi u sekuestruan nga Policia, si rezultat i kontrollit të vazhdueshëm të territorit, duke përdorur edhe dronët.   

Planet operacionale “Alpe të pastra”, “Masat parandaluese” dhe “Territori i pastër”, të nisura gjatë këtij muaji, do të vijojnë të godasin çdo rast të kultivimit të bimëve narkotike, në muajt në vijim.

Rreth 57 kg heroinë, 1.2 kg kokainë, rreth 120 kg kanabis dhe 2 pako me kanabis në formë çokollate, u sekuestruan si rezultat i 14 operacioneve të tjera për goditjen e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Në Kapshticë u goditën 2 raste të tentativës për të trafikuar sasi të mëdha lëndësh narkotike drejt Greqisë. U sekuestruan 118 kg kanabis dhe rreth 2 kg heroinë e kokainë.

41.7 kg heroinë e ndarë në 62 pako, u sekuestruan nga strukturat për hetimin e narkotikëve të DVP Tiranë, gjatë megaoperacionit të koduar “Fusha e Kuqe”.

Në port Durrës u sekuestruan 13 kg e 750 gramë heroinë që do të trafikoheshin drejt Italisë. Operacioni “Terminali” që goditi këtë rast, çoi në pranga 2 shtetas.

3 grupe kriminale që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, në Fier dhe në Tiranë, u shkatërruan.

12 operacione goditën mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit dhe tentativën për trafikimin e tyre.

Operacioni i koduar “Guns” goditi rastin e shitjes së një arsenali armësh që dyshohet se do të përdorej për krime kundër personit.

Operacioni i koduar “Kamuflimi”, në portin e Durrësit, goditi tentativën për të trafikuar drejt Anglisë, 8 pistoleta që ishin fshehur në një tavolinë që do të transportohej me automjet.  

Si rezultat i 110 rasteve të evidentuara dhe të goditura në fushën e armëmbajtjes pa leje janë sekuestruar në total: 31 armë zjarri, 5 armë gjahu, 4 armë sportive, municion luftarak, pjesë armësh, dylbi dhe pajisje si të Policisë.

Goditja e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit ka qenë fokus i punës së Policisë, gjatë këtij muaji. Si rezultat i koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare dhe asaj vendore, në disa raste dhe me FRONTEX-in, u finalizuan 14 operacione dhe u sekuestruan 21 automjete që përdoreshin për transportimin e shtetasve të huaj, në pikat e kalimit kufitar, si dhe shuma parash që ata kishin paguar për transportimin.

9 operacione të tjera janë zhvilluar nga strukturat policore vendore, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Policia iu ka gjetur dhe sekuestruar autorëve të dyshuar,  automjete, shuma parash dhe sende me vlerë të konsiderueshme që i kishin vjedhur në banesa apo në ambiente të tjera.

Janë finalizuar 6 operacione dhe janë goditur 81 raste në fushën e krimeve ekonomike. 3 prej operacioneve goditën veprimtarinë e kundërligjshme në subjektet call center. 5 shtetas u vunë në pranga, 7 të tjerë në hetim, si dhe u sekuestruan pajisje të ndryshme kompjuterike që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit janë zhvilluar 6 operacione, si rezultat i të cilëve janë sekuestruar pajisje kompjuterike, dhjetëra celularë dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie.

Shërbimet e Policisë Rrugore, nëpërmjet mjeteve inteligjente, vijojnë kontrollet në çdo aks të vendit, për të parandaluar aksidentet rrugore.

Gjatë këtij muaji, janë vënë në pranga 154 drejtues mjetesh, prej tyre 98 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit dhe 56 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.

Gjithashtu, janë pezulluar 1468 leje drejtimi, prej tyre 1222 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 176 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 70 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në të gjitha pkk-të e vendit, të bazuara në analizat e riskut, janë goditur: 2 raste të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, 7 raste të trafikimit të lëndëve narkotike, 7 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 13 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, 4 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin, 9 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 2 raste të kontrabandës së mallrave.

Gjithashtu, janë goditur 14 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Si rezultat janë sekuestruar rreth 145 000 euro, 139 000 dollarë dhe 58 500 paund dhe janë vënë në hetim 14 poseduesit e tyre.

Ndërkohë, strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ato vendore vijojnë hetimet intensive për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.

Bashkëpunimi në funksion të zbardhjes së ngjarjeve, kapjes së shtetasve në kërkim dhe goditjes së krimit të organizuar, vijon intensivisht edhe me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë edhe më shumë me Policinë, duke denoncuar në kohë, çdo rast paligjshmërie, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!