TIRANË - Masat e marra ndaj furgonëve me targa të bardha nga ana e policisë, janë të bazuara në ligj. Deklarata është bërë ditën e sotme nga Policia e Shtetit. Gjithashtu policia thotë se, protestat janë bërë më së shumti nga ana e furgonëve me targa të bardha.
 
Policia ka sqaruar se, “në zbatim të detyrimeve ligjore, si dhe në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve dhe disiplinimin e trafikut në territorin e vendit, gjatë këtyre ditëve ka ushtruar kontroll lidhur me respektimin e kërkesave ligjore nga drejtuesit e automjeteve në fushën e transportit publik”.
 
“Theksojmë se masat e marra nga strukturat e Policisë Rrugore, përfshirë dhe ato për transportin e udhëtarëve me mjetet 8+1,  janë në përputhje të plotë me ligjin”, theksohet në deklaratën e bërë publike nga Policia e Shtetit.
 
Policia ka sqaruar edhe nenet dhe ligjet se ku bazohen masat e marra nga ana e uniformave blu.

“Në nenin 37 të ligjit nr.8308, datë 18.02.1998 “Për Transportet Rrugore”, i ndryshuar, është përcaktuar që transporti i udhëtarëve me taksi në linjë të rregullt është i ndaluar. Po ashtu është përcaktuar, që mjeti taksi, kur kryen shërbim jashtë territorit të rrethit ku është regjistruar, në kthim mund të marrë udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të tij. Për shkelje të kësaj dispozite, Kodi Rrugor (neni 85 pika 3) parashikon përveç masës me gjobë, tërheqje të lejes së qarkullimit dhe konfiskim të mjetit”, ka bërë të ditur Policia e Shtetit.
 
Uniformat blu në mënyrë zyrtare kanë bërë të ditur se, “sipas nenit 86 pika 6 të Kodit Rrugor, shërbimi në linjë me një mjet që nuk është i  caktuar  për  një shërbim të tillë, siç është rasti me mjetet 8+1, është i ndaluar”.
 
“Ndërkohë, po sipas akteve ligjore në fuqi, mjetet për transport udhëtarësh me numër vendesh mbi 8+1, klasifikohen autobusë dhe leja e transportit për autobusë mund t’u lëshohet vetëm enteve publike, sipërmarrësve (shoqëritë e transportit që në aktet e themelimit, kanë objektin e  veprimtarisë transportin e udhëtarëve). Këto janë shërbime të licencuara dhe shërbimet e Policisë Rrugore ushtrojnë kontroll të vazhdueshëm mbi zbatimin e kushteve të licencës”, ka bërë të ditur burimet zyrtare të Policisë së Shtetit.
 
Sipas policisë, “pamjet filmike dhe një pjesë e mirë e raportimeve nga mediat gjatë këtyre ditëve, duke shfaqur mjete për transport udhëtarësh me numër vendesh mbi 8+1, nuk përfshihen në kategorinë e mjeteve të licencuara si taksi (pra nuk duhet të mbajnë targë të verdhë) dhe i nënshtrohen një tjetër regjimi juridik lidhur me licencimin dhe transportin e udhëtarëve, pavarësisht se nga media cilësohen “furgonë”. Theksojmë se mjetet mbi 8+1 kanë tjetër klasifikim dhe licencohen për transport udhëtarësh, por jo për taksi”.
 
“Çdo punonjës i Policisë së Shtetit ka për detyrë të përmbushë të gjitha përgjegjësitë e përcaktuara në ligj dhe në këtë kontekst hapat e ndërmarrë për kontrollin e respektimit  të kërkesave ligjore sa i përket transportit të udhëtarëve janë në përputhje të plotë me ligjin dhe në respekt të tij. Ligji është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë dhe është detyrë e Policisë të garantojë respektimin  tij, pa asnjë dallim”, përfundon deklarata e Policisë së Shtetit që ka sqaruar edhe masat e marra gjatë ditëve të fundit për furgonët 8+1 me targa të bardha.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)