TIRANË, 24 Nëntor/ATSH/- Policia e Shtetit-OSHEE doli pasditen e sotme në një deklaratë për mediat për të dhënë detaje per aksionin e ditës së sotme për lidhjet e paligjshme.
"Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE, kanë intensifikuar punën e përbashkët në të gjithë vendin jo vetëm për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike dhe për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, por edhe për vjeljen e pagesave nga abonentët debitorë", thuhet në deklaratë.
Policia e Shtetit ben te ditur se "në të gjithë vendin kanë vepruar 105 grupe të përbashkëta Polici - OSHEE. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë arrestuar 10 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, si dhe janë shpallur në kërkim 4 persona të tjerë. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici - OSHEE në 1.812 raste, si dhe janë ndërprerë 1.143 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonenteve debitorë".
"Kontrolli po vijon në bazë zone, duke kontrolluar fidrat dhe kabinat me radhë si dhe abonentët biznes dhe familjarë që furnizohen nga këto kabina me energji eketrike, ku gjatë ditës së sotme janë kontrolluar 223 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina. Puna e përbashkët Polici e Shtetit -OSHEE do vijojë deri në identifikimin dhe shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme dhe përballjen me ligjin të vjedhesve të energjisë elektike", thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit./i.v//a.ke/