Policia e Shtetit, plan të ri masash
për sezonin turistik 2013

Policia e Shtetit, plan të ri masash<br />për sezonin turistik 2013
TIRANË - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me synim përballimin me sukses të sezonit turistik veror 2013 dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për pushuesit, bën të ditur se ka hartuar një plan masash me detyra konkrete për të gjithë strukturat e policive vendore, që do të angazhohen me shërbime përgjatë kësaj periudhe.

Në zbatim të këtij plani masash, nga të gjitha strukturat drejtuese të policive vendore janë planifikuar, organizuar dhe zbatuar masa për strukturat në varësi, ku nëpërmjet tyre synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në vendet turistike, bregdetare e malore, rritja e sigurisë rrugore, lehtësim i lëvizjeve në kufi, dhënia ndihmës së shpejtë, si dhe ofrimi i një shërbimi policor në përputhje me kërkesat e Kodit të Etikës.

Drejtoritë e Policisë së Qarqeve dhe Komisariatet e Policisë, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, policinë bashkiake, inspektoratin e mjedisit, kanë marrë masa konkrete në drejtim të ruajtjes së rendit, rregullimit të trafikut, ndalimit të ndotjes akustike dhe vendosjen e rregullit dhe të qetësisë publike në plazhe dhe zona turistike.

Në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë në të gjitha zonat turistike, bregdetare dhe malore, në akset rrugore kryesore të vendit, përgjatë sezonit turistik veror, sipas nevojave të strukturave të policisë vendore do të angazhohen me shërbime dhe forca policore nga komisariatet e policisë të ndërhyrjes së shpejtë.  

Nga strukturat vendore të Policisë Kufitare dhe Migracionit, nisur nga fakti se gjatë sezonit turistik ka një rritje të ndjeshme të hyrje – daljeve në PKKK, janë marrë të gjitha masat për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave gjatë këtij sezoni turistik, nëpërmjet shtimit të pikave të kontrollit, trajnimit të personelit kufitar, duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me autoritetet doganore dhe FITO Sanitare.

Po nga policia kufitare, janë marrë të gjitha masat për kontrollin e kufirit shtetëror, ku veçanërisht në këtë drejtim janë intensifikuar kontaktet dhe po bashkëpunohet me strukturat homologe policore të Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Greqisë, për realizmin e detyrimeve të përbashkëta sipas marrëveshjeve të nënshkruara.

Në zbatim të VKM “Për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit të Republikës së Shqipërisë”, ku janë përcaktuar masa dhe detyra konkrete për të gjithë institucionet, që kanë detyrime dhe veçanërisht për organet e pushtetit vendor, të cilët kanë detyrimin dhe përgjegjësinë më të madhe në këtë drejtim, nga ana e strukturave të Drejtorive Rajonale të Kufirit dhe Migracionit dhe Drejtorive të Policisë në Qarqe janë marrë masa për disiplinimin e veprimtarisë së mjeteve lundruese në det, plazhe dhe ujëra të brendshme në thellësi të territorit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike edhe në këtë hapësirë, gjatë sezonit turistik veror 2013.

Më  konkretisht masa janë marrë në drejtim të: përcaktimit të zonave ku lejohet përdorimi i motorëve të ujit, oraret e përdorimit të tyre, përcaktimin e vendeve të posaçme dhe shenjave dalluese nëpërmjet të cilave tregohen korridoret e hyrje-daljeve të këtyre mjeteve në det, si dhe distancat e ushtrimit të lundrimit, përcaktimin e distancave jo më të vogla se 100-300 m dhe jo më larg se 1 milje nga bregu.

Gjithashtu nga strukturat e kufirit dhe migracionit po bashkëpunohet me agjencitë turistike për t’u dhënë informacion të plotë për regjimin e hyrje daljeve të shtetasve të huaj, informacionin e nevojshëm konsullor, si dhe për adresat elektronike të të gjitha Pikave të Kalimit Kufitar në vendin tonë, me qëllim menaxhimin sa më mirë të fluksit të lëvizjes.

Nga strukturat e qarkullimit rrugor janë marrë masa të gjithanshme në drejtim të rritjes së sigurisë në rrugë, parandalimit të aksidenteve rrugore dhe lehtësimit të qarkullimit rrugor, duke shtuar e përforcuar shërbimet e policisë rrugore në të gjithë akset kryesore sidomos ato akse që lidhin plazhet dhe zonat turistike.

Me këtë rast, Policia e Shtetit u kujton qytetarëve se për çdo shqetësim mund të kërkojnë ndihmën e policisë, duke telefonuar në numrin pa pagesë 129 ose 126 për qarkullimin rrugor.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin