Tiranë, 2 Shkurt / ATSH - Me anën e një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit njofton të gjithë drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë nëpërmjet Rrugës së Kombit, se në orët e fundit janë dendësuar reshjet e dëborës dhe për këtë shkak qarkullimi duke filluar nga Mirdita deri në Morinë, këshillohet të kryhet me zinxhirë.
Në Rrugën e Kombit aktualisht po punojnë katër borëpastruese.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë prezente për të monitoruar trafikun e mjeteve, për të dhënë ndihmë automobilistike si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.
Policia Rrugore kërkon mirekuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë kërkesat ligjore, të bashkëpunojnë me patrullat e saj në territor për të bërë të mundur evitimin e bllokimeve dhe normalizimin e situatës me qëllim shmangien e ngjarjeve aksidentale.
/k.m//a.ke/