FRANCE- Forcat e sigurisë franceze organizuan një aksion të hënën në mëngjes në Marsejë, ku arritën të arrestojnë 4 persona të moshës 16-23 vjeç, të cilët kishin planifikuar një sulm terrorist mbi një bazë ushtarake.

Më i riu prej tyre u lirua shpejt, ndërsa tre te tjerët janë mbajtur nga policia si të dyshuar, për planifikimin e rrëmbimit dhe prerjes së kokës të një ushtari francez . Gjatë arrestimit nuk u gjet asnjë armë megjithatë policia zbuloi të dhëna për përgatitje  eksplozivësh.

Më i vjetri i grupit ka qenë më parë një punonjës i marinës ushtarake në bazën e qytetit jugor Francez Collior, e cila ka shërbyer gjithashtu për trajnimin e forcave elite të komandos. Sipas informacioneve të policisë, ai quhet Xhibril dhe është përjashtuar nga marina kohët e fundit.

Njëri nga anëtarët më të rrezikshëm të grupit, 17 vjeç ,është nën mbikëqyrjen e veçantë të policisë për shkak të aktivitetit të tij në mediat sociale dhe lidhjen me militantët francezë në burg.
Sipas burimit të sigurisë franceze, tre të arrestuari kishin planifikuar të bashkoheshin me trupat e ISIS në Siri..
Të dyshuarit për komplot tani ndodhen në paraburgimin e shërbimeve të inteligjencës. Ndaj tyre është hapur një hetim nga prokurorët e anti-terrorit

Lajmi i arrestimeve u pasua nga deklaratat e njëpasnjëshme të presidentit francez Fransua Holande dhe ministrit të Brendshëm, Bernard Cazanueve, të cilët vlerësuan punën e policisë, në parandalimin e sulmeve terroriste.

Informacioni për dështimin e sulmit ndaj ushtarit francez, erdhi vetëm disa orë pas dy shpërthimeve të martën në një uzinë petrokimike në Marsejë, ndërsa hetuesit nuk kanë gjetur ende një motiv për këtë ngjarje. Ata gjithashtu kanë deklaruar se shpërthimet nuk kanë lidhje me sulmin mbi bazën ushtarake.

Franca ka forcuar sigurinë e saj duke vënë në gatishmëri  30.000 forca policie ku 5000 prej tyre janë vendosur në shkolla dhe institucione fetare pasi konsiderohen si më të rrezikuara nga aktet terroriste.

Nga shifrat e publikuara të qeverisë franceze, 1850 qytetarë janë të implikuar në organizata terroriste ku 500 prej tyre në Siri dhe Irak.

Shteti francez është në gatishmëri të lartë prej 6 muajsh , që pas sulmeve terroriste në revistën satirike, “Charlie Hebdo”, ku humbën jetën 17 persona.
france terrorizem

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)