Policia: Gjenden në Dardhë
gjurmë zjarri të 3 të arratisurve

Policia: Gjenden në Dardhë<br />gjurmë zjarri të 3 të arratisurve
TIRANE-  Gjenden gjurmë nga tre të arratisurit nga burgu i Drenovës, teksa policia vijon kërkimet. Ndërkohë që janë kapur 4 të arratisurit e tjerë, sot në mbrëmje në një tunel në thellësi të Dardhës janë gjetur gjurmë zjarri. Ndërsa kërkimet po vijojnë në çdo fshat dhe banesa të fshatarëve në Korçë për arrestimin e 3 prej 7 të dënuarve, të cilët u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës mbrëmjen e 23 nëntorit 2013.

Dy ditë pas arratisjes së 7 të burgosurve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, grupi hetimor ka dhënë edhe të tjera detaje për planin e largimit të të arratisurve. Sipas grupit hetimor, dy bashkëpunëtorët kanë qëlluar në ajër me armë nga jashtë. “Arratisja nga burgu ka qenë e mirëorganizuar. Dy personat bashkëpunëtorë në arratisjen e 7 të burgosurve kanë prerë rrjetën e telit të burgut. Ata kanë shtënë me armë zjarri në ajër. Rojet u kundërpërgjigjën me një të shtënë në ajër”, sipas grupit hetimor.

Mbeten në arrati: Reiz Haxhiraj, Eduard Lula dhe Gëzim Toma, ndërkohë që dje u arrestuan Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, të tre të dënuar me burg përjetë. Gjatë gjithë natës kanë vazhduar kërkimet. Mendohet se ata janë fshehur në Malin e Gramozit ku janë përqëndruar dhe kërkimet, si dhe në Dardhë. Po krehet dhe zona në Prrenjas, ku ishin strehuar tre të arrestuarit. Gjatë natës aksione ka pasur dhe në Tiranë. Policia kufitare ka organizuar kërkimet në kufi me Greqinë me kamera termike. Ndërsa kërkimet për të arratisurin e tretë, Gëzim Tomo janë përqëndruar tashmë në zonën e Prrenjasit.

ORA 20:00 - GJENDEN TRE GJURMË TË TRE TË ARRATISURVE
Gjenden tre gjurmë të tre të arratisurve nga burgu i Drenovës rreth orës 20:00 të mbrëmjes. Lajmi vjen nga Policia e Shtetit, e cila shton se në një tunel në Dardhë të Korçës janë gjetur gjurmë zjarri. Ndërkohë policia dhe forcat RENEA ndodhen në Dardhë për operacionin e kërkimit të tre prej shtatë të arratisurve nga burgu i Drenovës dy ditë më parë. Policia njofton se po bëhen kërkime në të gjithë zonën dhe banesat e fshatrave rrotull.

ORA 13:20 POLICIA: TË ARRATISURIT DYSHOHET SE PO NDIHMOHEN
Vazhdojnë kërkimet intensive në jug të qarkut të Korçës, ndërsa policia është duke mbledhur informacione për persona që mund t'i ndihmojë ata. Policia është duke hetuar edhe vendet se ku mund të jenë furnizuar ata me ushqime dhe me veshje. Policia ka bërë të ditur se, dyshohet se ka persona që janë duke i ndihmuar të arratisurit. Në rajonin e Korçës, dyshohet se janë vetëm dy të arratisur; Eduard Lulo dhe Reiz Haxhiraj.

Ndërkaq për të arratisurin tjetër kërkimet janë duke u bërë në malet e Prrenjasit dhe Pogradecit. Gëzim Toma dyshohet se ka qenë me grupin e tre shkodranëve, të cilët u arrestuan ditën e djeshme. Policia ka bërë të ditur se, ka ulur edhe insitetin e kërkimeve në këtë zonë.

ORA 11: 26 EDHE NE PRRENJAS VIJON KREHJA E ZONES, PASI DYSHOHET MUND TË NDODHEN EDHE TRE TË ARRATISURIT E TJERË
Forcat e RENEA-s, FNSH dhe policia e qarkut të Elbasanit vazhdojnë aksionin për të bërë të mundur edhe arrestimin e tre të arratisurve nga burgu i Drenovës të rrethit te  Korçës, ngjarje e ndodhur  mbrëmjen e së shtunës. Neritan Nallbati, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, i pranishëm në këtë aksion, thotë se “ ka nisur krehja e të gjithë zonës jo vetëm pranë stacionit të trenit të qytetit të Prrenjasit, ku edhe ndodhej magazina ku ishin strehuar tre të arrestuarit, por edhe më gjerë në këtë qytet". Sipas tij,  jane ngritur postoblloqe në të gjithë qarkun e Elbasan, informon atsh.

ORA 10: 29 KËRKIMET NË JUG TË MALIT TË GRAMOZIT
Në Korçë vazhdon operacioni për kapjen e 3 të arratisurve nga burgu. Gazetarja Lediona Xheladinaj informon se kërkimet po vazhdojnë në jug të malit të Gramozit ku ka pasur informacione se janë parë të arratisurit: Reiz Haxhiraj, Eduard Lula. Dyshohet se të arratisurit mbajnë dhe telefona celular me vete prandaj janë ndërprerë valët telefonike pranë malit të Gramozit në mënyrë që të arratisurit të mos kenë mundësi komunikimi. Policia është tërhequr nga kërkimet në majën e malit të Gramozit për shkak të motit dhe po kërkon në fshatrat përreth. Kërkime vazhdojnë edhe në pikën turistike të Dardhës, ku nuk përjashtohet dhe mundësia që mund të jenë fshehur atje. Policia kufitare ka organizuar kërkimet në kufi me Greqinë me kamera termike. Ndërsa kërkimet për të arratisurin e tretë Gëzim Tomo janë përqëndruar tashmë në zonën e Prrenjasit.

ORA 09:25 ARRATISJA NGA DRENOVA, KËRKIME NË TIRANË
Informacionet se, disa nga të arratisurit nga burgu i Drenovës kishin ardhur në Tiranë kanë alarmuar Policinë e Shtetit. Gjatë orëve të natës dhe mëngjesit, një aksion i madh është ndërmarrë në zonën e stadiumit Asllan Rusi në Laprakë. Dyshohejse në kryeqytet, fshihej Eduard Lulo. 
Policia ka bërë të ditur se, informacioni i dhënë nuk ka qenë i saktë pasi personat për të cilët ishte njoftuar nuk kanë qenë aty.

kerkimet ne malin e gramozit
(Foto:Mali i Gramozit sot i mbuluar nga bora, ku dhe janë përqëndruar kërkimet për kapjen e të arratisurve)

ZBARDHET SKEMA E FUTJES SE ARMEVE NE BURG, U FSHEHEN NE FRIGORIFER
21 policë të burgut të Drenovës janë arrestuar nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” ndërkohë që një numër tjetër punonjësish janë vënë nën hetim. Olsi Maçi dhe Albi Meçini janë arrestuar si organizatorë të arratisjes dhe kanë zhvilluar takime të shumta muajt e fundit me të dënuarit që janë arratisur. Ata dyshohet se kanë futur armët kallashnikov dhe pistoletat në qelinë e burgut, ku qëndronte Admir Tafili.

Gazeta ”Shekulli ” shkruan sot se para disa muajsh në burgun e Drenovës ka shkuar një dhuratë për Admir Tafilin. Ka qenë një frigorifer brenda të cilit, në mënyrë mjaft të kamufluar janë strehuar edhe katër armë; dy pistoleta dhe dy automatikë. Armët kanë qenë të çmontuara dhe kanë qenë të fshehura në pjesën e poshtme të frigoriferit, të vendosura në një shtresë polisteroli, çka ka bërë të mundur mos zbulimin nga ana e aparaturave të sigurisë. Frigoriferi ka qenë dhuratë për Admir Tafilin, ose porosi dhe është sjellë konkretisht nga Maçi dhe Meçini”.

Kështu ka nisur, sipas grupit hetimor, edhe historia e arratisjes së dy netëve më parë. Më pas armët janë mbajtur në dhomën e Admir Tafilit derisa janë marrë masat për të kryer edhe arratisjen, për të cilën edhe vetë ministri Tahiri bëri me dije se ka qenë mjaft e organizuar dhe madje ka patur edhe bashkëpunëtorë brenda strukturave përgjegjëse për sigurinë e burgut të Drenovës. Shërbimi i kontrollit të brendshëm të Burgjeve në të vërtetë mori sinjal se në sektorin e Sigurisë së Lartë të këtij burgu gjendeshin sende të paligjshme, ku rreth dy javë më parë ndërmorën një kontroll blic por pa mundur të zbulojnë arsenalin e armëve prej dy pistoletash dhe dy automatikëve që sipas të dhënave mbaheshin në qelinë e Tafilit. 

te burgosurit
 
MEKANIZMI I ARRATISJES
Gazetarja Nikoleta Kovaçi e gazetës “Shekulli” zbardhi sot mekanizmin e arratisjes. Rreth orës 19.00, mësohet se personat e armatosur me katër armë kanë mundur të hyjnë në mes të rreshtit të parë të rojeve të burgut. Fakti që kjo kategori gardianësh qëndrojnë të paarmatosur janë frikësuar nga armët në duart e të dënuarve dhe janë detyruar të t’iu hapin rrugën. 

Të armatosurit, pasi kanë kaluar gardhin e parë kanë trokitur në magazinën e armatimit të gardianëve dhe kanë detyruar magazinierin të ju vërë në dispozicion armët që iu duheshin. Sipas të dhënave kanë marrë çfarë kanë dashur dhe kanë kaluar një pas një rojet, duke bërë të mundur daljen në oborrin e burgut. Kullat e vrojtimit, të cilat ruhen me roje, sipas të dhënave, nuk kanë reaguar dhe madje as nuk kanë dhënë asnjë lloj sinjali. Për pasojë të dënuarit e armatosur kanë dalë të qetë nga rrethimi i burgut të sigurisë së lartë. Sipas të dhënave të hetimit, personat që kanë qenë edhe si roje kullash janë edhe dilema më e madhe e kësaj arratisjeje ndërsa ende nuk është zbuluar fakti se përse nuk kanë reaguar ndaj 7 të të dënuarve që po linin ambientet e burgut dhe po largoheshin. Mësohet se pasi kanë dalë nga rrethimi, të dënuarit janë ndarë në tre pjesë, ku vetëm Gora ka vijuar i vetëm në drejtim të fshatit të tij.

 Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri janë larguar bashkë me një automjet, ndërsa Haxhiraj, Toma dhe Lula janë larguar bashkë, këta të fundit ende të pa arrestuar. Dyshohet se Altin Lami ka paraprirë thuajse të gjithë lëvizjen e grupit të Tafilit pasi dyshohet se ka mundur që në afërsi të komisariatit të Korçës të realizojë një shpërthim or të bërë të mundur zhvendosjen e vëmendjes. Më pas Lami ka vijuar rrugëtimin në drejtim të Tiranës, për tu vënë në pranga orëve të mesnatës, pasi për të janë marrë një sërë informacionesh. Mirëpo, policia dhe grupi i hetimit ende nuk kanë mundur të zbulojnë nëse Lami ka qenë i vetëm apo me ndonjë nga të arratisurit, pasi policia ende nuk e ka të qartë se kush është personi që mundi të kalonte dhunshëm postbllokun e Pogradecit, pasi në atë makinë u fol se gjendeshin dy persona. 
 
ARRATIA E TRE TË TJERËVE, TËRHIQET POLICIA NGA MALI I GRAMOZIT
Përgjatë gjithë ditës së djeshme Policia e Shtetit ka qenë në ndarë në dy pjesë për të bërë të mundur lokalizimin e tre të të arratisurve të tjerë. Shpërblimi prej 5 mijë eurosh i vënë në dispozicionin e qytetarëve për të dhënë informacion në lidhje me vendndodhjen e personave të arratisur ka rezultuar i suksesshëm në rastin e tre të arratisurve shkodranë të cilët u arrestuan paraditen e djeshme. Pas arrestimit të tyre, policia dhe grupi i hetimit kanë marrë informacione të ndryshme në lidhje me rrugët që mund të kenë përshkruar tre të ‘mbijetuarit’ të cilët dyshohet se ose gjenden në malet për rreth, ose edhe mund të kenë lëvizur në drejtim të Greqisë. Mendohet se në të vërtetë, Reiz Haxhiraj është njohës i mirë i terrenit në tokën helene dhe kështu edhe dyshimet për gjatë gjithë paradites së djeshme kanë rënë pikërisht mbi ikjen e tyre jashtë. Mirëpo orëve të pasdites, kanë qenë informacionet e shumta që kanë bërë të ditur se personat që ngjajnë me personat e transmetuar me foto në media janë parë rrugës në drejtim të Malit të Gramozit.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe një sërë forcash të tjera policore kanë nisur kontrollin në terren por moti i keq dhe nisja e dëborës ka bërë që diku afër orës 20.00 të mbrëmjes së djeshme të tërhiqen. Zyrtarisht bëhet me dije se edhe Haxhiraj, Toma dhe Lula shpejt do të bien në pranga, ndërsa vetë ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka “kërcënuar” të arratisurit duke iu bërë thirrje të dorëzohen sot, se nesër edhe mund të jetë vonë.

Redaksia online
(sg/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja