Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit ka nisur prej disa ditësh verifikimet për gjyqtarin Arjan Aliaj, për veprat penale të “Fshehjes së të ardhurave”, “Mosdeklarim të pasurisë”, “Evazion fiskal, “Pastrim parash” dhe “Korrupsion”.
 
Objekt hetimi është pikërisht vila trekatëshe e pasqyruar në deklaratën e pasurisë. Sipas policisë, vila trekatëshe e gjyqtarit Aliaj, ka qenë më parë pronë e vëllait të tij, më pas të motrës dhe se fundmi e bashkëshortes së gjyqtarit.
 
Këto kalime pronësish, mes familjarëve të gjyqtarit kanë sjellë dyshime tek oficerët e Policisë së Shtetit, e cila ka nisur dhe hetimet me iniciativën e saj.
 
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar hetimet e policisë për pasurinë e gjyqtarit, Arjan Aliaj. “Edvin Shullazi nis kontrollin antiligjor, kriminal e policesk ndaj gjyqtarit Aliaj! Ai me mercenarë me uniformë merr pushtetin e KLD, Prokurorisë së Shtetit dhe ILDKP, konsumon kështu grushtin e shtetit brenda shtetit.
 
Në rastin e gjykatësve hetimi i vendimeve mund të bëhet vetëm nga institucioni kushtetues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në bashkërendim dhe me Ministrinë e Drejtësisë.
Kurse pasuria e gjykatësve sipas ligjit hetohet nga ILDKP dhe prokuroria e shtetit.
 
Kushtetuta dhe ligjet e vendit mbrojnë çdo zyrtar dhe qytetar nga hetimi policesk i pa autorizuar nga prokuror ose gjykatës”, ka deklaruar Berisha. 
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)