Rreth 35-49 forca të policisë arritën të asgjësonin mbi pesë mijë rrënjë kanabis, ndonëse u përballën me një situatë të vështirë.
Pavarësisht nga breshëritë e shumta të armëve automatike që u dëgjuan, nuk ka të dhëna për të plagosur apo të dëmtuar.
Në aksionin e parë në Lazarat të policisë marrin pjesë forcat RENEA, DELTA FORCE, FNSH Fier dhe forcat e policisë së Gjirokastrës.
Aksioni i policisë në Lazarat për asgjësimin e kanabisit u udhëhoq nga zv. drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, dhe drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Halit Murataj.
Mësohet se janë shoqëruar në komisariat 5 punëtorë që u gjetën duke vaditur parcelat me kanabis.
Para afro një muaji policia nisi një monitorim të jashtëm të Lazaratit. Policia ka ndaluar me qindra banorë të fshatrave përreth që shkonin në Lazarat për sezonin e mbjelljes së kanabisit. Rreth 90 mëditës që kërkonin të shkonin për të punuar në territoret e gatshme për t’u mbjellë me kanabis janë ndaluar 3 ditë më parë. Në fakt janë ditët e fundit ku mundësohet mbjellja e bimës narkotike në pjesët pjellore të fshatit pasi me kalimin e ditëve, mbjellja e kanabisit, nuk mundësohet pasi konsiderohet jashtë kritereve të motit.
Pjesa më e madhe e mëditësve, gjendeshin në bordet e pesë furgonëve që përshkojnë destinacionin Lazarat-Gjirokastër-Lazarat. Të gjitha deklarimet e mëtitësve për Policinë e Gjirokastrës, janë baza për nisjen e procedimeve penale ndaj atyre individëve që rezultojnë se janë kultivues të kanabisit në Lazarat.
BURGAJ: JA TE ARRESTUARIT
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, gjatë një konference për shtyp zhvilluar në orët e para të pasdites, tregoi se gjatë operacionit u asgjësuan 5 mijë bimë të llojit kanabis si dhe u krye arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve “të cilët u kapën duke punuar në parcelat e mbjella me bimë narkotike”.
Ata janë:
- Mico Thanas Kuro, vjeç 29, lindur dhe banues ne Lazarat,
- Aurel Lufti Huso, vjeç 28, lindur dhe banues në Lazarat,
- Erion Mersin Ajdini, lindur dhe banues në Tepelenë, që të tre pronarë të parcelave të ndryshme me bimë narkotike,
- Gentian Besnik Halili, vjeç 19, lindur dhe banues në Kukës
-Agron Luan Blloshmi, vjeç 25 lindur dhe banues në Librazhd
Ata akuzohen për veprën penale “Kultivim të bimëve narkotike” parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.
Burgaj saktësoi se në operacion u angazhuan rreth 200 forca të reparteve të ndryshme.
(im/p.n./r.d./shqiptarja.com)