Policia e Tiranës i ka komunikuar sot arrestimin autorit të zjarrvënies në Spitalin Amerikan, i cili gjatë paradites së sotme i vuri zjarrin ambienteve të pavionit të hemodializës në përpjekje për të djegur një tjetër pacient që po merrte shërbim aty.

Sipas policisë, autori i dyshuar është Lefter Cani 57-vjeç që ndodhet në  repartin e reanimacionit pas ngjarjes në Spitalin Amerikan ku humbën jetën 2 paciente dhe u plagosën katër të tjerë.

Cani akuzohet për dy vepra penale: zjarrëvenje e qëllimshme, shkatërrimi i pronës me anë të zjarrit dhe vrasje në rrethana cilësuese.

Deklarata e plotë e policisë:

Më datë 25.07.2016, Specialistët e Krimeve të Rënda ndaj Jetës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

• Lefter Canaj, 57 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në ambjentet e spitalit "American 1", tek pavioni i Hemodializës, për motive ende të paqarta ky shtetas pasi ka mbaruar mjekimin, rreth orës 11:00, është rikthyer tek pavioni i Hemodializës, ku me vete ka pasur një shishe me lëndë djegëse "benzinë", lëndë të cilën ka filluar t'ja hedhë në të gjithë trupin e shtetasit D. Saraçi i cili ka qenë duke marrë mjekim në krevat dhe më pas i ka vënë flakën.

Flakët kanë përfshirë të gjithë pavionin e Hemodializës, ku nga flakët e shumta dhe tymi i madh në këtë ambjent kanë gjetur vdekjen shtetaset:

• Sanije Sulaj, 65 vjeçe, banuese në Mamurras.

• Anife Mali, 55 vjeçe, banuese në Laç.

Gjithashtu si pasojë e këtij zjarri kanë mbetur të dëmtuar shtetasit:

• D. Saraçi, 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën.

• Lefter Canaj, 57 vjeç, banues në Tiranë

• S. B., 34 vjeç, banues në Berat. 

Materialet proceduriale i'u kaluan Prokurorisë së Rrethit Tiranë, për veprat penale "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese" dhe "Shkatërrim të pronës me zjarr", parashikuar nga Nenet 79/dh dhe 151 të Kodit Penal.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)