Dy makina të policisë, në të cilat ndodhej dhe vetë piktori korçar kanë shoqëruar rreth orës 14:00 koleksionin e pikturave të sekuestruara duke i lenë ato tashmë në shtëpinë e z.Xega, ku kanë qëndruar prej vitesh.
Ka qenë vetë piktori si dhe familjarë të tij, të cilët kanë zbritur pikturat nga makinat e policisë. Piktori Sotiraq Xega është shprehur përpara mediave se është hera e parë që vihet në këtë pozicion. “Jam shumë i lumtur që mi kthyen sërish veprat e mia, nuk jam ndjerë kështu kur mi morën ato, por ndjehem i emocionuar tani që mi kthyen” ka deklaruar Xega.
Veprat në pikturë ju sekuestruan piktorit Sotiraq Xega dy ditë më parë nga policia në kuadër të hetimeve që po kryen grupi i taskforcës dhe prokuroria për zhdukjen e 61 pikturave nga galeria e arteve “Guri Madhi”.
Por pasi u vërtetua se ato mbajnë firmën e piktorit, uniformat blu i kanë kthyer sërish në shtëpinë e piktorit. Që në momentin e marrjes së veprave piktori korçar ka deklaruar se ato mbajnë të gjitha firmën e tij.
Kontrolle për zhdukjen e 61 pikturave janë zhvilluar edhe në shtëpinë e drejtorit të qendrës kulturore “Vangjush Mio”, Vladimir Topi, si dhe në banesën e përgjegjësit të ri të galerisë, Kristi Ktona, por nuk janë gjetur piktura.
Ndërkohë i kontaktuar në telefon nga A1 Report drejtori i policisë, Ylli Metko, ka deklaruar se vazhdojnë hetimet të përqendruara tashmë në disa drejtime, konkretisht në verifikimin e çelësave si dhe në kohën e daljes së pikturave nga galeria.
(da.is/shqiptarja.com)
