Policia italiane: Droga në Lazarat
4.5 miliardë euro/vit, 50% e GDP

Policia italiane: Droga në Lazarat<br />4.5 miliardë euro/vit, 50% e GDP
TIRANË -  4.5 miliardë euro llogaritet xhiroja vjetore e hashashit të prodhuar vetëm në Lazarat, ndërsa pothuajse të 12 qarqet e vendit janë të përfshira nga kultivimi i bimës fitimprurëse.

Shifra ka dalë gjatë një konference të përbashkët për shtyp të drejtorit të Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Byrgaj. Ky i fundit ironizoi shifrat e italianëve pa dhënë një datë se kur do të ndërhyhet në Lazarat edhe pse çdo gjë është e filmuar dhe fotografuar ditën për diell.

Ndërkohë që prodhimi i brendshëm ekonomik shqiptar është rreth 10 miliardë euro në vit, 4,5 miliardë vetëm nga hashashi në Lazarat përbëjnë gati 50% të këtij prodhimi. E po të llogarisim edhe kultivimi dhe prodhimi i drogës në të gjitha qarqet i bie që një ekonomi tjetër paralele prodhon ndoshta aq sa ekonomia legale. 

Lazarati mbetet ende qyteza e narkotikëve, ku në operacionin ajror për verifikimin e parcelave të mbjella me hashash me bashkëpunimin e policisë shqiptare dhe aviacionit të Guardia di Finanzia janë plot 319 ha këtë rajon, të cilët me vlerë tregu arrijnë një xhiro vjetore 4.5 miliardë euro.

I pyetur nga gazetarët, Drejtori Burgaj pranoi situatën, por në vend të shifrave që raportuan përfaqësuesit e “Guardia Di Finanza” zgjodhi të mohojë të vërtetën dhe pse çdo ditë në brigjet italiane kapen sasi të konsiderueshme droge.

E ndërsa në fund të konferencës, policisë shqiptare iu dorëzua harta e fotografuar dhe e monitoruar e parcelave me hashash, mungoi përgjigja zyrtare se kur do të ndërhyhet në Lazarat.

BURGAJ DHE BASTONI: SHQIPERIA DUHET NXJERRE NGA HARTA E KULTIVIMIT TE DROGES
Monitorimi i territorit me avionë special për identifikimin e sipërfaqeve të mundshme të kultivuara me bimë narkotike është shtrirë në të gjithë territorin e vendit, për një periudhë rreth dy mujore, të ndarë në dy faza.  Faza e parë u zhvillua nga data 3 deri më 20 qershor dhe aktualisht po zhvillohet faza e dytë e monitorimit, nga data 1 korrik deri më 7 gusht.
 
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, e cilësoi prezantimin e rezultateve të këtij monitorimi, si dëshmi e transparencës dhe vullnetit të padiskutueshëm të  Policisë së Shtetit për të monitoruar tërësisht territorin shqiptar në luftë kundër kultivimit të bimës kanabis sativa dhe njëherazi angazhimin maksimal të strukturave të policisë për të identifikuar dhe asgjësuar çdo sipërfaqe të kultivuar me bimë narkotike, duke vënë para përgjegjësisë ligjore dhe autorët e këtij kultivimi.
 
Burgaj vlerësoi dhe falënderoi Qeverinë Italiane dhe Policinë e Shtetit Italian për ndihmën e dhënë në këtë drejtim, duke vënë në dispozicion të Policisë së Shtetit avionë të teknologjisë më të fundit, si dhe burimet e saj njerëzore në këtë luftë të përbashkët kundër drogës.

“Është një mbështetje e pakursyer dhënë Policisë së Shtetit në vazhdimësi prej vitesh tashmë, edhe përmes Misionit Interforze dhe Guardia di Finanza, Misionit Pameca, i cili në këtë mandat drejtohet dhe mbështetet nga Italia, duke ndikuar dukshëm në ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit”- u shpreh Burgaj.
 
Duke iu referuar operacioneve monitoruese të zhvilluara gjatë këtij viti, Burgaj konfirmoi, se nga monitorimi i kryer në të gjithë territorin e vendit, rezulton se situata është pothuajse në ato nivele, që ka qenë vitin e mëparshëm, me një tendencë rritje, kjo edhe për shkak të angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit për zgjedhjet parlamentare.
 
“Nga përpunimi i të dhënave të përfituara nga fotografimet dhe filmimet ajrore është bërë i mundur identifikimi i parcelave të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa në të gjithë territorin e vendit, nga ku rezulton se kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla të kultivuara larg zonave të banimit dhe kryesisht në zona të thella malore. Zonat e identifikuara si me problematike gjatë këtij viti ka rezultuar të jenë Qarqet Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Tiranë dhe Durrës.

Deri në këto momente janë identifikuar dhe asgjësuar sipërfaqet e kultivuara me bimë narkotike në 108 raste, ku janë asgjësuar rreth 14.772 rrënjë bimë narkotike, si dhe janë proceduar 36 shtetas (23 janë arrestuar e ndaluar, 3 ndiqen në gjendje të lirë dhe 10 janë shpallur në kërkim)- evidentoi Burgaj.
 
 “Objektivi është çrrënjosja e këtij fenomeni, me qëllim zhvendosjen e vendit tonë nga harta e vendeve orgjinë të lëndëve narkotike. Treguesit e arritur janë rezultat i angazhimit të gjithanshëm vit pas viti të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor dhe aktorë të tjerë të ngarkuar me ligj, të cilët gjej rastit t’i falënderoj për përkushtimin e treguar për realizimin e objektivave të vendosura” – nënvizoi Burgaj.
 
Po ashtu z. Burgaj, duke vlerësuar bashkëpunim me gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit dhe me policitë homologe, në kuadër të luftës kundër drogës, vuri në dukje se :
“Disa operacione, edhe në Itali, kanë qenë në sajë të bashkëpunimit të shpejtë me policinë shqiptare për goditjen e grupit në të dyja anët, qoftë në Itali apo në Shqipëri, dhe sigurisht që do të vijojmë operacione të tilla përsëri”.
 
“Edhe një herë dua të ripërsëris vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të luftuar këtë krim dhe angazhimin madhor të çdo strukture të saj me qëllim që  Shqipëria të dalë përfundimisht nga harta e kultivimit të kanabis sativa.

Të gjithë ata, që në male apo në toka publike, kultivojnë bimë narkotike duhet ta kenë të qartë, që çdo bimë narkotike e mbjellë do të asgjësohet dhe çdo autor i kultivimit do të përballet me drejtësinë. Shqipëria përfundimisht do të dalë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike” u shpreh në mbyllje të fjalës së tij Z. Burgaj.
 
Ndërkohë, ambasadori Italian në Shqipëri, Giuseppe Berlendi, gjatë fjalës së tij,  u shpreh: “Kjo iniciativë rrjedh nga Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Italiane të firmosur më 19 korrik 2007, duke parë interesin e përbashkët të të dy vendeve për të forcuar bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar dhe në veçanti në goditjen e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Aktiviteti kishte të bënte me përdorimin e avionëve të Guardia di Finanza italiane, që janë të pajisur me aparatura të veçanta dhe tejet të sofistikuara, të cilat janë në gjendje të njohin llojet e plantacioneve sipas thyerjes, që i bëjnë dritës së diellit.”
 
Z. Berlendi, gjatë fjalës së tij, vuri në dukej se identifikimi i parcelave të mbjella me bimë kanabis sativa u bë i mundur nga përdorimi i avionit P166 DPI, i pajisur me sensor CASI 1500 dhe fotokamera dixhitale high definicion, si dhe falë punës së lavdërueshme të post-processing të kryer nga Qendra Rajonale e Kompetencës BENECON në Napoli.
Drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni, gjatë fjalës së tij evidentoi synimet operative të këtij misioni, që ishin lokalizimi i plantacioneve  të gjera, të fshehura dhe shpesh të vështira për tu arritur, të kanabisit.

“Vëzhgimi ajror u përqendrua në ato parcela të territorit, që ishin më të përshtatshme për kultivimin e paligjshëm të kanabisit, për tiparet e territorit, largësinë nga qendrat e banuara ose për praninë e grupeve kriminale.”- theksoi Bastoni. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, iu përgjigj edhe pyetjes së gazetareve të pranishëm lidhur me aspekte të punës së policisë në luftën kundër kanabis sativa.

Intersimit të gazetares të televizionit Top-Channel Anila Hoxha, lidhur me kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Lazaratit, në Gjirokastër, Burgaj, iu përgjigj:
“Nga 304 raste, parcela të kultivuara në territorin e vendit, 108 deri në këto momente janë asgjësuar. Kemi bashkëpunuar vazhdimisht bazuar në pamjeve filmike dhe monitorimit të avionëve me operacione në terren. Edhe sot që flasim vazhdon asgjësimi dhe arrestimi i autorëve. E njëjta situata do vazhdojë në të gjithë territorin e vendit me ndërhyrje të policisë”.

Ndërkohë interesimit të po kësaj gazetareje lidhur me mënyrat që përdorin trafikantët për të trafikuar drogë nga Shqipëria në drejtim të Italisë, Z. Burgaj, iu përgjigj:
“ Sasia e trafikuar përllogaritet rreth 30 ton. Sasia e kapur vitin  e kaluar, që ju tashmë e dini, është pothuajse një sasi e përafërt, që do të thotë, që puna e policisë shqiptare ka qenë në nivelet maksimale për moslejimin e depërtimit në vendet fqinje. Pra mund të them, se në bazë të përllogaritjeve, sasia më e madhe është arritur të kapet brenda territorit shqiptar”.

Ndërsa interesimit të Gazetarit Arsen Rusta të Televizionit A1 Report, lidhur me përgjegjësinë e policisë për situatën e kultivimit të bimëve narkotike në vend dhe përgjegjësisë që kanë kryepleqtë e apo kryekomunarët e zonave në këto raste, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë iu përgjigj:

“Policia shqiptare është treguar e  para në rajon që ka vepruar me këto metoda speciale më të përparuarat me avion. Nuk është vetëm Shqipëria, që kultivohet bimë narkotike, janë edhe vendet e tjera të rajonit, duke filluar që nga Bosnja, Maqedonia, Greqia, vendet e Italisë së Jugut, si dhe shumë vende të tjera. Por sigurisht ne jemi treguar shumë transparent për të luftuar këtë fenomen, dhe për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo hartë e kultivimit të bimëve narkotike dhe do ta bëjmë një gjë të tillë. Do të mbledhim, grupojmë, të gjitha forcat, mundësitë, kapacitetet që kemi. Vendet i kemi të gjitha të identifikuara dhe në shumicën e rasteve edhe me autorë. Që sot ne jemi në teren për të vepruar dhe në bashkëpunim me pushtetin vendor, të cilët në shumë raste kanë dhënë informacion dhe në bashkëpunim vijon puna për asgjësimin e bimëve narkotike”.
 
Redaksia Online
(ar.sh/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Liverpool 'shkërmoq' Tottenhamin, e mposht 3-6 në Londër! Të kuqtë kryesojnë Premier League

VIDEO/ Liverpool 'shkërmoq' Tottenhamin, e mposht 3-6 në Londër! Të kuqtë kryesojnë Premier League