Policia kërkon arrestimin e
Dasho Alikos, prokuroria refuzon

Policia kërkon arrestimin e<br />Dasho Alikos, prokuroria refuzon
TIRANE- Përgjegjësitë e kreut të komunës së Lazaratit, Dasho Aliko në lidhje me situatën në këtë fshat, kanë përplasur policinë dhe prokurorinë, në lidhje me arrestimi e tij apo jo. Mbrëmjen e djeshme, Policia e Shtetit ka bërë publike akuzat ndaj Alikos ndërsa burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se, është kërkuar arrestimi i kryekomunarit por prokuroria nuk ka lëshuar arrestin për të, duke vendosur për hetimin në gjendje të lirë.

Policia tha se, Aliko është duke u hetuar për akuzat: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë”, “organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”, “moskallëzim krimi”, “përkrahje e autorit të krimit”, “forma të veçanta të bashkëpunimit”. Edhe pse për akuzat e mësipërme parashikohet arrestimi i personit mbi të cilin rëndojnë, Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se ka vendosur hetimin në gjendje të lirë për Alikon. Për këto akuza parashikohet të paktën 25 vite burg. “Shqiptarja.com” tentoi që t’i merrte në prononcim Alikos, por ka qenë e pamundur komunikimi me të.

PESË AKUZA ALIKOS
Policia e Shtetit ka bërë të ditur mbrëmjen e djeshme se ka nisur: “Procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Dashnor Et’hem Aliko, vjeç 55, banues në fshatin Lazarat, me detyrë Kryetar i Komunës Lazarat”. Të njëjtat burime thanë se, ndaj këtij personi janë kryer veprimet procedurale dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë.

Në dosjen e dorëzuar në prokurori, Aliko është i dyshuar për 5 vepra penale të rënda. Akuzat që rëndojnë mbi Dasho Alikon janë: “vrasja në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë”, “organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”, “moskallëzim krimi”, “përkrahje e autorit të krimit”, “forma të veçanta të bashkëpunimit”. Në takimin e fundit mes Alikos dhe ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, i zhvilluar para se Lazarati të binte, mësohet se ka pasur tension kur është diskutuar për rolin që po luante kreu i komunës në qetësimin e situatës dhe kapjen e të kërkuarve.

LIGJI: ALIKO NË BURG
Dashnor Aliko, kryeplaku i fshatit Lazarat, ka detyrim ligjor të drejpërdrejtë për të njoftuar Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës për mbjelljen e fidanëvë të drogës, një gjë të tillë nuk e ka kryer. Për pasojë sipas ligjit me nr. 9559 të datës 8 qershor 2006 të miratuar nga parlamenti dhe qeveria “Berisha” e asaj kohe çdo kryekomunar që nuk raportonte me shkrim plantacionet e drogës, duhet të ndiqej penalisht për tre akuzat “Shpërdorim detyre”, “Moskallëzim krimi” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Fill pas këtyre akuzave vinte dhe shkarkimi nga detyra e kryekomunarit, kryeplakut apo inspektorit të zonës që refuzonte të raportonte kultivimin e drogës. Por pavarësisht përmbajtjes së ligjit të miratuar nga Berisha, asnje masë nuk është marrë për kryetarin e kumunës Lazarat, që çdo vit prodhon mijëra tonë drogë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Krizë trafiku dhe…TikToku, jo krizë politike

Skënder Minxhozi: Krizë trafiku dhe…TikToku, jo krizë politike