Policia e Shtetit që prej 7 majit njoftoi kufizimin e komunikatave të përditshme të drejtorive vendore duke kaluar në një model të ri informimi me konferenca mujore, statistika periodike dhe reagime për ngjarje me impakt të lartë, vendim që solli reagime.
Këtë vendim Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë përmes një deklarate zyrtare e cilëson si një strategji të dëmshme jo vetëm për mediat por edhe për qytetarët. AGSH shprehet se kjo gjë ul besimin publik tek institucionet dhe lë boshllëqe të mëdha informuese për ngjarje me interes publik.
AGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit që të rishikojë këtë strategji për informim të shpejtë dhe të saktë për ngjarjet e rënda, të bëjnë funksionale dhe të plotë faqen zyrtare si burim primar informacioni si dhe të kenë forcojnë bashkëpunimin me organizatat e medias dhe gazetarët për të gjetur një model komunikimi që balancon nevojat e hetimeve me të drejtën e publikut për transparencë.
Deklarata e plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ndjek me shqetësim zbatimin e strategjisë së re të komunikimit të Policisë së Shtetit, pak javë pas deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm.
Në deklaratën tonë të mëparshme vlerësuam synimin për një komunikim më të strukturuar dhe profesional, por njëkohësisht shprehëm shqetësimin se centralizimi i tepruar dhe kufizimi i informacionit mund të cenojnë transparencën publike, raportimin e pavarur të medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar në kohë reale.
Fatkeqësisht, zhvillimet tregojnë se shqetësimet tona po konfirmohen në praktikë.
Sipas raportimeve të mediave, në të paktën dy ngjarje të rënda kriminale reagimi i Policisë ka qenë i vonuar ose i pamjaftueshëm, duke mos respektuar premtimin për informim në kohë reale për ngjarjet serioze.
Komunikimi në kanalet zyrtare është kufizuar kryesisht në operacione policore dhe aktivitete protokollare, duke lënë boshllëqe të mëdha informuese për ngjarje me interes publik.
Ky realitet tregon se strategjia e re, në vend që të përmirësojë komunikimin, po krijon një vakuum informacioni që dëmton jo vetëm median, por mbi të gjitha qytetarët dhe besimin publik te institucionet.
Nga burime të shumta informacioni AGSH ka kuptuar se ajo që u paraqit si strategji e re e Komunikimi të Policisë në fakt ka qenë vullnet politik i ardhur nga radhët e Policisë së Shtetit apo drejtuesve të saj!
AGSH ripërsërit se transparenca nuk është favor që jepet nga institucionet, por detyrim ligjor dhe demokratik. Kufizimi i aksesit në informacion me interes publik nuk mund të justifikohet me “kontrollin e lajmeve kriminale”, pasi një praktikë e tillë rrezikon të çojë në censurë de facto dhe në spekulime të pafundme.
Ne i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit:
- Të rishikojë menjëherë zbatimin e strategjisë së re duke garantuar informim të shpejtë, të saktë dhe të mjaftueshëm për ngjarjet e rënda.
- Të bëjë funksionale dhe të plotë faqen zyrtare si burim primar informacioni.
- Të nisë një dialog të vërtetë me organizatat e medias dhe gazetarët për të gjetur një model komunikimi që balancon nevojat e hetimeve me të drejtën e publikut për transparencë.
lajm ne perditesim...
Komente











