Policia maqedonase arreston
një kosovar për krime lufte

Policia maqedonase arreston<br />një kosovar për krime lufte
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për ndalimin e shefit të Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gafurr Dugolli, nga ana e autoriteteve maqedonase, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

Ndalimi i z. Dugolli në pikë kalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, është bërë duke u bazuar në fletarrestet jolegale serbe, me pretendimin tashmë të njohur “për kryerje të krimeve të luftës”.

Qeveria e Kosovës fton Republikën e Maqedonisë dhe të gjitha shtetet fqinje e më gjerë, që të mos ndërmarrin veprime policore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës duke u bazuar në listat e Serbisë, të cilat janë të hartuara në shpërputhje të plotë me aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, do të kërkojë me insistim nga autoritetet e Bashkimit Evropian si dhe partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës që të përdorin ndikimin e tyre te Serbia për t’i dhënë fund përndjekjeve të karakterit të tillë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është informuar se Serbia para pak ditësh, duke shkelur çdo praktikë ndërkombëtare, ka përditësuar listën e re, ku sërish janë përfshirë qytetarë dhe personalitete të Republikës së Kosovës, me ç’rast i konsideron ato akte krejtësisht të pavlera dhe të cilat duhet të injorohen e të mos merren fare parasysh nga shtetet fqinje dhe me gjerë.

Edhe Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj arrestimit të shtetasit të Kosovës, Gafurr Dugolli, nga autoritetet maqedonase me kërkesë të Republikës së Serbisë nën dyshimin se ka kryer krime lufte në territorin e Republikës së Kosovës.

KosovaPress njofton se Gafurr Dugolli, vëllai i Bujar Dugollit, është arrestuar duke hyrë në Maqedoni dje, ndërsa po shkonte në ambasadën amerikane për të marrë vizën amerikane për nevoja personale.

Po ashtu, në bazë të këtyre burimeve, Dugolli ishte i kërkuar nga Interpoli me kërkesë të autoriteteve serbe.

“Ministria e Drejtësisë e Republikës sё Kosovës njofton opinionin e gjerë, se Ambasada e Republikës sё Kosovës nё Maqedoni ka pranuar informacionin lidhur me arrestimin e z. Gafurr Dugolli, shtetas i Republikës sё Kosovës në Republikën e Maqedonisë, sipas kërkesës së autoriteteve serbe për dyshimin qё tё ketë kryer veprën penale “Krime Lufte” nё territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Siç thuhet në komunikatë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit tё Drejtësisë sё Republikës sё Kosovës, Hajredin Kuçi i cili fillimisht kishte kontaktuar drejtpërdrejt me homologun e tij nё Maqedoni.

Kuçi, përmes njё shkrese zyrtare i ёshtё drejtuar autoriteteve mMaqedonase duke theksuar se “ushtrimi i juridiksionit nga njё gjykatë serbe, për krime që pretendohet tё jenë kryer nё territorin e Republikës sё Kosovës, pikërisht dhe vetëm per shkak se ato janë kryer nё këtë territor, konsiderojmë se përbën një shkelje tё rëndë tё parimeve themelore tё sё drejtës ndërkombëtare, prandaj duke kërkuar ekstradimin nё bazë tё juridiksionit universal lehtësisht mund tё duket si një ndjekje e motivuar politikisht dhe ne shprehim shqetësimin lidhur me aplikimin e normave ndërkombëtare nё këtë proces, sidomos për një gjyqësor tё pavarur dhe tё paanshëm tё shtetit kërkues”.

Gjithashtu nё letrën e ministrit Kuçi thuhet se juridiksioni i supozuar i Serbisë, lidhur me dyshimin e kryerjes sё veprës penale “krime lufte” nё territorin e Republikës sё Kosovës nga shtetasit e Kosovës është i paligjshëm dhe politikisht i papranueshëm dhe pёr këtë arsye, nё interes tё drejtësisë është apeluar tek qeveria maqedonase qё rreptësisht tё refuzoj çdo kërkesë për ekstradimin e Dugollit nё Serbi, pёrfundon letrёn e tij Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. /KP

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: E pavërtetë! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: E pavërtetë! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor