Kontrollet me mjete inteligjente kanë "skanuar" të gjitha akset rrugore të qarkut të Korçës, duke çuar në 946 masa administrative brenda një jave. Policia Rrugore bën të ditur se gjatë monitorimit janë arrestuar edhe 3 drejtues mjetesh, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht për drejtim të parregullt të mjetit dhe shkelje të rregullave të qarkullimit.

Nga 946 gjobat e vendosura, 367 janë për ndalim të gabuar të mjetit dhe 125 për parakalime të gabuara.

Policia ndëshkoi gjithashtu 50 drejtues që nuk respektuan këmbësorët në vijat e bardha, 32 që nuk kishin vendosur rripin e sigurimit, 19 për mungesë të kaskës mbrojtëse, 9 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 2 për përdorim të celularit gjatë drejtimit dhe 1 për xhama të errësuar, ndërsa 341 masa të tjera u vendosën për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Sipas policisë, kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut me përdorimin e mjeteve inteligjente.