Një i ri është ndaluar nga efektivët e Komisaritit nr. 1 në Tiranë, në përpjekje për t’u larguar me armë me vete, në lagjen “Ali Demi”.

Gazetari i Report TV Sokol Dema, mëson se R.L., 30 vjeç, në momentin që ka parë policinë ka hedhur armën në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap.

Ai është kapur gjatë ndjekjes nga ana e efektivëve, dhe arma që posedonte është sekuestruar. Aktualisht ai po dërgohet në komisariat për të verifikuar kush është dhe pritet të pritet për të edhe fleta e arrestit.

Policia ndërsa jep informacione për këtë ngjarje bën me dije vetëm inicialet e të arrestuarit, sakaq shton se ai po lëvizte me armë zjarri me vete dhe kanë qenë qytetarët ata që kanë denoncuar, duke bërë që 30 vjeçari të vihet në pranga në pak minuta, pasi fillimisht tentoi të arratisej.

Njoftimi i policisë:

Qarkullonte me armë zjarri me vete, por falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, Policia lokalizon dhe vë në pranga 30-vjeçarin. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë.

Si rezultat i rritjes së besimit të qytetarëve tek Policia, është marrë informacion se një i ri po qarkullonte me armë zjarri në zonën e Ali Demit. Menjeherë u organizuan shërbimet e Policisë për lokalizimin dhe kapjen e personit.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm , shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shigjetat", bënë të mundur që në lagjen "Ali Demi" të lokalizonin personin e dyshuar, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap, por gjatë ndjekjes është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.L., 30 vjeç, dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.