TIRANË- Dy javë kërkime në Shqipëri 'kanë bindur' policinë se Adriatik Llalla nuk ndodhet në vend për këtë arsye, SPAK tashmë e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia e Tiranës nuk e ka gjetur Llallën brenda vendit , duke bërë që zyrtarisht nga sot ish-kryeprokurori i Përgjithshëm të jetë një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Më 22 shator ditën kur u dha dënimi, policia shkoi në shtëpinë  Adriatik Llallës për ta arrestuar, por ai nuk ndodhej aty dhe se familjarët thanë se "nuk e dinin se ku ndodhej".  Report Tv mësoi më herët se Llalla është larguar nga Shqipëria më 7 shtator nga Rinasi drejt Romës. Ndërkohë që vendndodhja e tij nuk dihet se ku është aktualisht.

Sipas Ligjit Llalla kishte 7 ditë kohë për t'u paraqitur vullnetarisht në polici për të vuajtur dënimin, por kur kanë kaluar dy javë SPAK e shpalli në kërkim ndërkombëtar.

GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli. Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.