Policia-PD: Kur nisi procedimi
për Nelin, u pezullua nga detyra

Pas akuzave të Partisë Demokratike se Edi Rama në policinë e Korçës ka emrëruar si shef të seksionit të trafiqeve një person të dënuar pak muaj më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ka reaguar Policia e shtetit.

Në një deklaratë për shtyp Policia e Shtetit thotë se kur Prokuroria kishte nisur procedim penal ndaj Nardi Nelit ai është pezulluar menjëherë nga detyra.

Policia e Shtetit shprehet se nuk mund të përjashtojë nga polica Nardi Nelin, pa një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe lëshimin e urdhërit të ekzekutimit nga ana e organit të prokurorisë. 
 
Deklarata për shtyp e Policisë së Shtetit
Lidhur me deklaratën e bërë  nga Partia Demokratike se në policinë e Korçës është emëruar një oficer i dënuar,  sqarojmë se:
Komisar Nardi Neli është emëruar në detyrën Shef Sektori në Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, datë 05.12.2012 dhe në muajin Prill të vitit 2013 është emëruar Shef Seksioni Kundër Trafiqeve po në këtë Sektor.  

Policia e Korçës me të marrë djeni se ndaj këtij oficeri, Prokuroria kishte nisur procedim penal ka bërë menjëherë pezullimin e tij nga detyra. Ndërkohë Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar me shkresë disa herë Prokurorisë pranë  Gjykatës  së  Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë që të sjellin vendimin e dënimit  dhe deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Më poshtë keni  informacionin e plotë  për Komisar Nardi Neli
Komisar Nardi Neli është emruar në detyrën shef Sektori në Sektorin kundër trafiqeve dhe narkotikëve në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë, me urdhër nr. 115/1 datë 05.12.2012. Me urdhër nr. 990 datë 29.03.2013, është emruar Shef seksioni ai dhe specialist  në Seksionin kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë Vendore Korçë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me shkresën nr. 124 datë 14.07.2015 i ka kërkuar komisariatit të Policisë Korçë ndejkjen e procedurës së kërkimit ndaj disa shtetasve: “Për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike”, ndërsa për punonjësin e policisë Nardi Neli për veprën penale “Zbulimi i akteve apo të dhënave sekrete”.
 
Mbi bazën e kësaj shkrese të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtoria e Policisë së Shtetit me aktin  administrative nr. 682 datë 16.07.2015 ka filluar ecurinë disiplinore ndaj punonjësit të policisë Nardi Neli.

Më datë 30.07.2015, Drejtoria e Policisë së Shtetit, me shkresën nr. 1008/1, i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë informacion mbi ecurinë e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Me shkresën nr. 1857/1 datë 28.09.2015, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, i kthen përgjigje Policisë së Shtetit se aktet e këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim në Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Më datë 07.10.2015, me shkresën nr. 1008/6, Drejtoria e Policisë së Shtetit i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, informacion më të detajuar mbi mënyrën e përfundimit të procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Më datë 20.10.2015, me shkresën nr. 1008/7, Drejtoria e Standarteve Profesionale pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin e hetimit disiplinor në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli, bazuar në nenin 225, pika a të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me Vendim të KM nr. 750  datë 16.09.2015.

Theksojmë se deri tani nuk është kthyer asnjë përgjigje nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë mbi përfundimin e procedimit penal në ngarkim të punonjësit të policisë Nardi Neli.

Në këto kushte, bazuar në kërkesat e nenit 4 dhe 462 e vijues të Kodit të Procedurës Penale si dhe të nenit 225, pika a të Rregullores së Policisë së Shtetit,  Policia e Shtetit nuk mund të procedojë për përjashtimin nga polica të punonjësit të policisë Nardi Neli, pa një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe lëshimin e urdhërit të ekzekutimit nga ana e organit të prokurorisë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit