TIRANE- Në njoftimin zyrtar Ministria e Brendshme tha se “Nga veprimet e kryera nga njësia antieksploziv dhe Njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit.” Realisht, në vendngjarje u mundësua shpërthimi i kontrolluar i eksplozivit, me anë të aparaturës që zotëron kjo njësi Antieksploziv në Policinë e Shtetit, e cila funksionon me anë të trysnisë së fuqishme të ajrit dhe ujit, që shkon deri në 12 bar. Burime pranë Policisë së Shtetit i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se eliminimi i të gjithë pakos me tritol, me anë të ujit dhe ajrit, ka shkatërruar edhe provën me të rëndësishme, kartën e celularit e cila i përkiste një kompanie të njohur, por që nuk ishte e regjistruar zyrtarisht në ndonjë emër personi.

Në fakt ky përbën një tjetër shqetësim, pasi grupet kriminale blejnë karta në tregun e zi dhe i përdorin për atentate. Ndërkaq, veprimi i djeshëm i njësisë Antieksploziv nxjerr edhe një herë në pah mungesën e theksuar të aparaturave të fjalës së fundit të teknologjisë, apo të ekspertëve të mirëfilltë e të superspecializuar, për të mos u bërë në fillim veprimi që mund të mbetet për në fund.

Pra, nëse do të ekzistonte në Policinë e Shtetit, kjo aparaturë apo ky superekspert, tritoli i djeshëm do të çmontohej me kujdes dhe të ruhej si provë kyçe materiale, pasi atje mund të gjendeshin shenja gishtërinjsh apo të dhëna të tjera që mund të dilnin pas analizës në Laboratorin Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme. Deri kur të vijë ajo ditë kur rreziku të shmanget dhe prova të ruhet, duket se policia do të shkatërrojë lëndën shpërthyese me ajër e ujë.

Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)