Një operacion i Policisë në Elbasan për kapjen e një personi në kërkim u mbyll me arrestimin e vëllait të tij, pasi ky i fundit dyshohet se kanosi me armë të dyshuar manovër katër efektivë.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në lagjen “Visarion Xhuvani”, ku punonjësit e 'Operacionales' së  Elbasanit po kryenin kontrolle për kapjen e një personi që kërkohet nga policia për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjatë ndërhyrjes, vëllai i tij,  41 vjeçari Behxhet Bylyku, banues në Elbasan, dyshohet se ka nxjerrë një armë të dyshuar manovër dhe ka kanosur katër efektivët e Policisë.

Bylyku u arrestua në flagrancë ndërsa arma u sekuestrua 

Ndërkohë, Policia bën me dije se kontrollet për kapjen e vëllait të 41-vjeçarit, i cili është në kërkim, vijojnë. 41 vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi i Policisë së Shtetit 

"Kanosi me armë të dyshuar manovër, punonjësit e Policisë të angazhuar për kapjen e vëllait të tij (shtetas në kërkim), arrestohet 41-vjeçari. Sekuestrohet sendi i ngjashëm me armën e zjarrit. Specialistët e Hetimit të Krimeve të DVP Elbasan, në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, arrestuan në flagrancë shtetasin B. B.(Ç.), 41 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas, në lagjen “Visarion Xhuvani”, ka kanosur me armë të dyshuar manovër, 4 punonjës të Forcës Operacionale të DVP Elbasan, gjatë kryerjes së kontrolleve dhe veprimeve operacionale të tjera, për kapjen e vëllait të 41-vjeçarit, shtetasit B. B., që është në kërkim për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërkaq, vijojnë intensivisht kontrollet për kapjen e shtetasit B. B.. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin B. B.(Ç.), për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”"

 

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë