Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka folur në analizën e punës së Policisë së Shtetit, nga ku ka theksuar se policia e shtetit është kthyer në shërbim të qytetarëve, ndaj dhe bashkëpunimi me ta është guri i themelit për një vend të sigurtë.

Qytetarët janë partnerët e policisë. Me qytetarët mund të luftojmë kriminalitetin” tha Tahiri i cili shtoi se gjatë vitit të kaluar policia e shtetit ka organizuar 4450 takime me komunitetin ndërkohë që janë zgjidhur 50200 konflikte.

Tahiri për vitin 2016 ka lançuar projektin më të ri që do vihet në zbatim nga policia e që ka të bëjë me vënjen në dijeni të çdo institucioni për marrjen e masave për  konfliktet dhe zgjidhjen e tyre.

Po ashtu, Tahiri ka thënë se është hartuar rregullorja e re e punonjësit të policisë së shtetit, që parashikon testime periodike të punonjësve dhe kushdo që nuk e kalon këtë test do të largohet nga detyra.

Në rregulloren e re parashikohen teste periodike për performancën fizike e profesionale të punonjësve të policisë. Kush nuk e kalon testin, do të largohet nga puna” ka thënë

Tahiri që ka shtuar se, punonjësit e policisë do të kenë me vete, në çdo moment, Kodin Etik që përfshin një tërësi rregullash që nga sjellja deri tek komunikimi.

Ai shtoi se, gjatë vitit të shkuar janë proceduar gati 1 mijë punonjës policie, është hapur pas 10 vitesh mosfunksionim kursi i lartë i policisë së shtetit, ndërkohë që për vitin 2016 prioritet i punës së policisë do të jetë korrupsioni i nivelit të lartë, lufta ndaj krimit dhe terrorizmit.

Duke u ndalur tek gjyqi që po bëhet ndaj imamëve të vetëshpallur, Tahiri ka akuzuar sistemin e drejtësisë se, ai gjyq po kthehet në një gjyq skandaloz dhe një skenë teatri.
Gjyqi po kthehet në një gjyq skandaloz, në një skenë teatri ku ata që janë arrestuar bëjnë shoë në një gjyq që duhet të marrë fund, të akuzuarit bëjnë fjalime për ti folur popullit. Gjyqi po arrin në nivelin qesharak” ka përfunduar Tahiri.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)