TIRANË - Pas plasjes së skandalit të përgjimeve me mjete të qeverisë Berisha ndaj opozitës socialiste, qeveria e mëparshme largoi nga pozicioni i kreut të SHIU-t, për ta emërur si komandant të Policisë Ushtarake Ylli Zylën. Zyla edhe këtu kishte në dispozicion, si më parë, një ekip të gjurmimit dhe përgjimit telefonik dhe postar. Ligji "Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura" e parashikon këtë kompetencë të kësaj policie.

Ligji ka hyrë në fuqi në vitin 2003 dhe, në nenin 7 të tij, parashikohet kompetenca e Policisë Ushtarake për të përgjuar dhe gjurmuar nëpërmjet kontrollit të komunikimeve telefonike dhe postare. Në të njëjtin nen parashikohet që kjo polici të ketë një rrjet të vetin për sigurimin e informacioneve. Pra, një infrastrukturë të qartë, të ngjashme atë të shërbimeve informative.

"Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet normative të miratuara nga Ministri i Mbrojtjes, ngre rrjet të fshehtë informativ, përdor mbikëqyrjen e fshehtë, krijon dhe përdor evidencën operative, përdor mjetet teknike dhe elektronike, bën përgjime telefonike e kontroll postar, duke marrë më parë miratimin tek autoriteti i përcaktuar me ligj" - përcakton neni 7 i këtij ligji.

Një nga urdhërat e para të ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, ishte shkarkimi i Ylli Zylës nga posti, duke shmangur mundësinë e përgjimit të paligjshëm.

policia ushtarake

Shkrimi u publikua sot (28.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)