Politika e batutat, intervista
ndryshe me Edi Ramën

Politika e batutat, intervista <br />ndryshe me Edi Ramën
GJIROKASTER- Në autobusin e Ramës është mbledhur e gjithë skuadra, siç i quan ai kandidatët për deputetë, e Gjirokastrës. Nga uji i ftohtë në Tepelenë deri në Gjirokastër, kaq është koha për intervistë me kryetarin e Partisë Socialiste. Rreth gjysëm ore. Kënaqshëm si intervista e parë në këtë lloj formati (në autobuz) të cilën Rama e jep për Shqiptarja.com. Ai u tregua i hapur për çdo lloj pyetje, nga politika, tek familja, tek e shkuara, apo tek e ardhmja.

E gjithë kjo intervistë do të bëhet me batuta. Ja psh, batuta e parë se po shihja skuadrën e Gjirokastrës. Po të marrim edhe ato që ka thënë Berisha. Keni shpëtuar nga “Kaçi i Zi”, por keni marrë “Mamuthin e Korrupsionit”...
(Qesh) Hë do ta fillojmë intervistën?

Kemi filluar ne...
(Arben Ahmetaj i zgjat telefonin)Po ku je, po ku je o Tërmet, o shkatërrim, ku je. Kur s’ta vara more? Ishe aty ti? Epo kjo është një problem se nuk të pashë. Nuk e di nuk e di, ose ke qenë afër Anastasit ndaj nuk të kam parë. Ku je do vish apo jo? Po atë karroatrecin e mercedezit ku e ke? Hajde ciao...E di ti historinë e Tërmetit? Hë e di?

Jo...
Ai ka një mercedez të ri, dhe ngaqë rruga nuk është në rregull, merr mercedezin, e hyp sipër dhe e çon deri në Memaliaj poshtë...

Po rruga nuk është aq e prishur...
Ore do e dëgjosh ti këtë histori apo jo? Ja, e sheh, nuk do ta dëgjojë. Ta them dhe njëherë unë. E merr mercedezin, e hip në karroatrec, vetë hipën në një fiat të shëmtuar shkon deri poshtë deri në Memaliaj, pastaj i zbret Mercedezit dhe vjen në Tiranë.

Po pse nuk ikën me Fiat uno ai përderisa e shfrytëzon?
Ai ka mercedezin, problemi është se nuk ka rrugën.

Mercedezin e ka blerë tani apo më përpara?
Përpara kishte rrugë e s’kishte mercedez, tani ka mercedez po nuk ka rrugën. Do fillojmë ne?

Po ne kemi filluar....
Si kemi filluar? Po kamera?

E pra, ja kamera. Unë jam i shqiptarja.com, kamera është e A1Report. Shqiptarja.com dhe A1 Report është e njëjta gjë.
A pse e njëjta gjë jeni ju? Atëherë pse duhet të përgjigjem unë pa u bërë gati ai (e ka fjalën për kameran e A1Report).

Edhe njëherë. Duke parë skuadrën e Gjirokastrës dhe duke pasur parasysh disa thënie të Berishës keni shpëtuar nga Kaci i Zi, por keni Mamuthin e korrupsionit në skuadër...
Më mirë mos ti marrim parasysh thëniet e doktorit sepse vetë doktori provon me fakte se thotë vetëm kur i ka njerëzit kundërshtarë. Sapo i përfshin në gji, apo i ul në prehër, ata nuk janë më ashtu sikurse ai thotë. Psh, tani Kaçi nuk është më i zi...

Si është?
Eshtë blu.

Ata janë tradhëtarë tani për PS?
Edhe njëherë...

Për Partinë Socialiste ata janë tani tradhëtarë?
Po çfarë mund të jenë tjetër? Dhe unë habitem sesi...habitem me termin tradhëtarë, ndërkohë që të tillë quhen kudo, edhe në Anglinë e demokracisë shumë më të vjetër ata që e braktisën partinë u quajtën tradhëtarë.

Ju nuk i keni braktisur ata, vetëm ata juve?
Unë jam aty ku isha, në krye të Partisë Socialiste.

Politikisht nuk i braktisët?
Pse i braktisa? Për çfarë arsyeje?

Kështu thotë Kadeli të paktën...
Po ai ishte në grupin parlamentar.

Meqë flasim për Lezhën, me kë do ta krahasonit tradhëtarin Kadeli me ndonjë tradhëtar tjetër?
Nivel shumë i ulët për t’u krahasuar me Hamzain me thënë të drejtën...

Ju do ta jepni dorëheqjen si deputet kur të bëheni kryeministër?
Kjo është një gjë që do ta shikojmë...kemi një grup që është ngritur dhe po punon jo thjesht për ndarjen e mandateve, por për një kuadër tërësor të funksionimit të qeverisë dhe do të kemi përpara 23 qershorit një komunikim për ta bërë të ditur se çfarë do të ndryshojë në procesin qeverisës dhe se ç’farë do të përmbajë kontrata e kabinetit qeveritar me popullin shqiptar brenda kornizës kushtetuese, por edhe me një komunikim shumë të rreptë etike.

Kjo vlen edhe për deputetët që do të bëhen ministra? Sepse keni thënë se ata nuk do të jenë më deputetë...
Po patjetër.

Më the se nuk është vendosur akoma...
Jo, ju pyetët për mua, apo jo. Ju pyetët për kryeministrin nëse do ti nënshtrohet të njëjtës procedurë dhe ju thashë se kjo është një gjë që do të saktësohet në vijim, ndërkohë që ndarja e mandateve, pra ndarja e mandatit të deputetit me mandatit të qeverisë është e vendosur.

Ministrat do t’i zgjidhni ju apo kryesia e PS?
Ministrat zgjidhen nga kryeministri në konsultim me të gjitha forcat që do të përbëjnë qeverinë dhe sigurisht forca kryesore e qeverisë është PS.

Tre ministrat kryesorë i keni caktuar tashmë?
Jo, jo asnjë.

Ju kandidoni në Vlorë, kush janë tre çështjet kryesore të këtij qyteti?
Unë kandidoj në Vlorë, do të jem deputet i Vlorës. Sigurisht do të jem jashtëzakonsiht i vëmendshëm dhe përkushtuar për qytetin, por jo vetëm. Por për të gjithë rrethin dhe qarkun e Vlorës dhe në rast se do të më pyesni për qytetin do t’ju përgjigjesha infrastrukturë, infrastrukturë, infrastrukturë.

S’ka punuar kryetari i Bashkisë deri tani?
Kryetari i Bashkisë ka bërë çfarë ka mundur, por projektet e infrastrukturës që ka nevojë Vlora janë të papërballueshme nga Bashkia dhe janë të parealizueshme pa mbështetjen e qeverisë.

Koço Kokëdhimën e propozuat ju apo strukturat e partisë?
Unë.

Pse? Si opozitar?
Si opozitar i vendosur si botues...

Si Mero Baze?
...Si botues që qysh vitin e parë ka pasur një gazetë të orientuar majtas, si sipërmarrës që ka pranuar shkatërrimin...

Do ta ndihmoni të shlyejë gazetarët që nuk u ka dhënë rrogat?
...Shkatërrimin e tij për të mos dorëzuar lirinë editoriale dhe si një djalë i bregut që do të përfaqësojë Vlorën.

Do ta ndihmoni të shlyejë gazetarët dhe si?
Nuk e kuptoj pyetjen.

Koço Kokëdhima si botues, që është një nga botuesit më të mëdhenj të Shqipërisë...
Jo unë thashë që është një nga botuesit që qysh nga dita e parë ka patur një gazetë të orientuar majtas dhe ka prodhuar në Shqipëri të parin shtyp që ka jetuar përmes respektit, përmes etikës dhe faktit.

Si do ta zgjidhni ju këtë problemin e botuesve me gazetarët që nuk i paguajnë? Vetëm para ca ditësh një televizion pushoi 30 gazetarë nga puna...
E para kjo ka dy anë, në njërën anë është kriza financiare e shtypit dhe në anën tjetër nevoja për të rregulluar gjithë veprimtarinë e organeve mediatike brenda një kuadri të respektit të lirive dhe të drejtave qoftë editoriale qoftë të gjithë gazetarëve dhe nevojës për të lehtësuar veprimtarinë e shtypit nga pikëpamja ekonomike.

Ka një farë mosbesimi ndaj jush...
Besoj se ka mjaftueshmërisht besim në kushtet kur jemi në pluralizëm nuk jemi në regjimin e 99 përqindshit.

Ky është pluralizëm, apo demokraci hibride?
Ky është pluralizëm dhe ky është pluralizëm nën një regjim hibrid.

Kush janë tre fjalitë që një mosbesues ta ktheni në ithtar?
Tre fjalitë që një mosbesues ta kthej në ithtar timin? Në kuptimin pse një mosbesues të votoj për mua?

Patjetër...
Vizion, program dhe përkushtim.

I keni të treja këto? Kush është vizioni juaj për Shqipërinë? Çfarë ëndërroni ju?
Unë ëndërroj që të bëj për Shqipërinë ato që çdo shqiptar që mori detin në këmbë duke kapërcyer dallgë të jashtëzakonshme paragjykimesh dhe pengesash diskriminimi, margjinalizimi, bëri për familjen...

Ky është hartim zoti Rama...
Ky nuk është hartim, kjo është e vërteta e shqiptarëve dhe fatkeqësisht nuk është e vërteta e Shqipërisë, por do të jetë e vërteta e Shqipërisë.

Dhe si do ta bëni ju?
Me të njëjtin vizion, me të njëjtën forcë dhe me të njëjtin përkushtim.

Çfarë keni ju parasysh kur thoni këto? A keni parasysh diçka? Një vend...Një shtet..një qytet, apo Tiranën...
Nuk mund të kem parasysh një shtet e qytet. Unë kam parasysh gjithë pasuritë nëntokësore që ka Shqipëria, kam parasysh klimën dhe pozicionin gjeografik; kam parasysh talentin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve si individ dhe kam parasysh eksperiencën time me Tiranën. Askush nuk besonte që Tirana nga një pazar oriental do të kthehej në një qytet normal dhe ja ku jemi.

Po tani pas dy vjetësh si është?
Kanë filluar të dalin gropat nëpër rrugë, kanë filluar të rishfaqen plehrat që nuk mblidhen; kanë filluar të ndjehen problemet e mungesës së qeverisjes.

Sa kandidatë të PS, nuk e kanë teserën e kësaj partie?
Nuk jam marrë me këtë çështje, por me siguri ka edhe nga ata që nuk e kanë teserën e PS.

Do t’a marrin më vonë?
Eshtë puna e tyre. Ata janë deputetë të PS dhe janë automatikisht edhe pjesëtarë të familjes sonë politike derisa do të jenë pjesë e ekipit tonë.

Meqë e kemi kohën e limituar, disa përcaktime të shpejta: Sali Berishën...
I plakur...

Jozefina Topalli?
E lehtë.

Bamir Topi?
(qesh) tirons.

Dash Shehi?
I lodhur.

Nikollë Lesi?
Nikollë Lesi.

Kreshnik Spahiu.. veç sorrës?
Krra, krra, krra...

Ilir Meta?
Instikt Politik.

Fatos Nano?
Ku është ky?

Në Vlorë do ta kesh... Ben Blushi?
I zgjuar.

Arben Malaj?
Rrugëhumbur.

Koço Kokëdhima?
I zoti.

Erion Veliaj?
(mendohet)....

Më shumë sesa për Fatosin po mendohesh këtu...Kaq mik e keni?
I ri.

Pse nuk e latë në Korçë si kandidat?
Pse duhet të qëndronte në Korçë? Nuk ka qenë ndonjëherë deputet i Korçës.

Ai nuk ka qenë as i Gjirokastrës...
Po e ka për herë të parë.

Kjo është fushata e dytë elektorale që po bëni. Ku është ndryshimi nga e para?
Fushata e dytë elektorale?

Keni bërë edhe në 2009.
Jo, s është e dyta...

Unë po flas për zgjedhjet e përgjithshme...
Ku është ndryshimi me të parën? Ka më shumë flokëbardha. Më shumë arsye për të besuar se Shqipëria evropiane është aty.

Kam edhe një pyetje këtu megjithëse e di që nuk do përgjigjeni tamam. Po nëse Berisha del fitues, do ta akuzoni për vjedhje votash?
Ai gjithsesi do i vjedhi zgjedhjet, dhe gjithsesi do akuzohet dhe gjithsesi nuk do të dalë fitues.

Por nëse, sepse ka humbje, ka fitore, ka edhe barazim...
Pyetje me nëse unë nuk i përgjigjem dot.

Ke besim te Ilir Meta?
Kam.

Që kur?
Që kur vendosëm të bashkojmë forcat me LSI dhe ta bëjmë këtë betejë së bashku duke krijuar kushtet që në Shqipëri shumica natyrale të fitojë të drejtën për të qeverisur.

Kur e kuptuat se duhet të bashkoni forcat me Ilir Metën?
Pas 8 majit 2011.

Keni pasur marrëveshje edhe më përpara kush i ka shkelur?
Besoj që të dy palët kanë pasur arsye për të reflektuar dhe në këto raste asnjëherë përgjegjësia nuk është e gjitha vetëm në njërën anë.

Kush është vendimi i parë që do marrësh si kryeministër?
Vendosja e fotografisë së Ismail Qemalit në zyrat e shtetit.

Do ta hiqni bujar Nishanin? Mos është antikushtetuese kjo?
Jo nuk është antikushtetuese.

Po ligji thotë se duhet të jetë fotografia e presidentit...
Do të ndryshojmë ligjin.

Ky është ligji i parë që do të ndryshoni?
Ky është vendimi i parë që do të marrim.

Kabineti do të jetë më i madh apo më vogël sesa tani?
Do të jetë më në krye të punëve dhe do të jetë më pranë problemeve të njertëzve realisht. Do jetë në funksion të interesit publik.

Pse e kandiduat Musa Ulqinin?
Se e meriton.

Eshte 24 karatsh si socialist?
Po.

Në 2009 sa karatsh ishte?
Po aq. Ishte po aq, por në 2009 e kam thënë dhe e them se gabuam.

Kush është reflektimi më i madh nga 2009?
Në kuptimin e fushatës?

Në kuptimin e partive, njerëzve, lidhjeve...
Që të gjithë janë të nevojshëm dhe askush nuk është i domosdoshëm.

E keni kuptuar kë keni përballë?
E kam ditur i pari që kur është krijuar PD.

Ju duket se keni humbur diçka nga liria juaj?
Po sigurisht patjetër.

Sa?
Liria nuk matet me peshore, por padyshim kur bëhesh pjesë e një familje politike lë diçka nga liria jote për të bërë më të mirën, dhe për të dhënë më shumë...

Mos jeni bërë skllav i politikës?
Nuk besoj. Skllav jo.

Në një të kaluar relative do kishit dëshirë të drejtonit Partinë Demokratike?
Asnjëherë.

As që në 90? Eshtë relative...
Asnjëherë. Po të kisha pasur dëshirë do të luftoja për këtë gjë.

Pse vendosët të ndryshonit look-un tuaj?
Kur?

Keni qenë me të kuqe, me të verdha, me blu...ndoshta s’e keni pasur blunë...
Kjo është pyetje e vjetër...

Jo e bëjmë të re ne...
Kjo më kujton përgjigjen e parë për Berishën, por tani do ta ndryshoj, do ta bëj plak.

Eshtë 70 vjec, është akoma në pushtet...
E pra, çudi...turp i madh edhe 70 vjeç dhe hajdut votash.

Këtë e thoni ju. Nëse mendoni se ua vjedh votat prapë, do futeni sërish në grevë urie?
Unë nuk u përgjigjem pyetjeve me “nëse” , të thashë.

Po ka gjithmonë një “nëse”...Megjithatë... si janë marrëdhëniet tuaja me femrat?
Femër i thonë një lloji femëror të qenit, apo kafshëve. Ato quhen gra dhe vajza.

Atëherë me gra dhe me vajza...
Me gra dhe me vajza janë të shkëlqyera.

Keni ndërrmarrë gjithë këto udhëtime. Bashkëshortja juaj mos është xheloze?
Absolutisht jo, përkundrazi, i kemi të ndara punët.

Si janë marrëdhëniet tuaja?
...Dhe jua thashë edhe herën tjetër kur ishim në autobuz, nuk po bëjmë zgjedhjet presidenciale në Amerikë, janë zgjedhje në kushtet kur kandidati për kryeministër është thjesht kryetari i qeverisë.

Ju ka dhënë ndonjë emër për deputet?
Kush?

Bashkëshortja...
E vërteta është që asnjëherë nuk përzihet në punët e partisë.

Besoni në zot ju?
Kjo është shumë personale.

Njerëzit duhet t’i dinë disa gjëra. Autobuzi i Obamës, fushata si Obama... Obama përgjigjet për gjithçka...
Eshtë shumë personale dhe nuk kam dëshirë ta bëj pjesë të kësaj bisede.

Berisha është 70 vjeç dhe thotë se “unë besoj në zot”, “zoti, zoti, zoti”...
Zoti e di...

Jeni rrëfyer ndonjëherë...Jo te prifti....
Nëse do ishte për t’jua treguar juve nuk quhet më rrëfim.

Kush është njeriu me të cilin diskutoni gjithçka?
Linda.

I keni hequr të gjitha fotografitë nga shtëpia, apo disa?
Unë jam shumë i pavëmendshëm ndaj fotografive dhe nuk mbaj fotografi në shtëpi. Kam shumë pak fotografi që janë shumë të vjetra.

Ka disa akuza që vijnë nga gratë e PD sikur keni qëlluar ndonjë grua a vajzë...
E di, e di. E di po është pjesë e fantazisë së shthurur që prodhon baltën e PD.

Si është marrëdhënia juaj me nënën? Te libri juaj keni një përshkrim fantastik për nënën...
Besoj se çdo nënë është një ëngjëll, po marrëdhënia ime me të është tamam marrëdhënia me një ëngjëll.

Kur e keni bërë për të qarë për herë të fundit?
Kam përshtypjen që ka qarë në takimin që kishim në Rogner në festën e nënës.

Po me djalin si i ke marrëdhëniet? Sa herë ulesh me të? Sa herë e takon? Sa herë bisedon?
Me djalin i kemi marrëdhëniet ashtu sikurse besoj unë se i meritoj që kam qenë një djalë shumë rebel me babain dhe tani po paguhem mbrapsht për ato kusuret. Eshtë hakmarrja më ekslente që mund të ndodhte për çka unë kam bërë ndaj prindërve të mi si rebel.

Je penduar?
Jo unë nuk jam penduar? Unë jam shumë i lumtur që ai më ngjan mua pavarësisht se tani unë jam nga ana tjetër e barikadës.

Ke rikthyer disa nga figurat e vjetra, Musa Ulqinin, Veizin, Angjelin...Pse?
Sepse s’janë të vjetra, janë pjesë e kësaj familje politike dhe jemi një skuadër ku ka nevojë për njerëz në fushë, pastaj në stol , pastaj prapë në fushë...

Arben Malaj ku është tani?
Në merkato...

E keni nxjerrë ju apo ka dalë vetë?
Ka dalë vetë.

Më dukeni shumë i lodhur...
Jo, jo, nuk jam i lodhur fare.

Po kurrizi ju dhemb më?
Pak. Po e kaloj dhimbjen me dhimbje.

Kështu thonë dhe budistët. Eshtë një moshë e keqe që fillojnë dhe sëmundjet. Vuani nga ndonjë sëmundje?
Kam pasur një unazë që më ngacmon herë pas here, kam vuajtur herët nga azma, por jo s’kam probleme.

Cigare keni pirë?
Në periudha të ndryshme. Cigaren e parë e kam pirë 32 vjeç pastaj e kam lënë. Si thotë Mark Tueni...

Po stërvitje bëni?
Jo kohët e fundit fare, si duket prandaj edhe kam këto shqetësime.

Pse pranuat një nga njerëzit e afërt të Ilir Metës në listat tuaja?
Si një gjest simbolik për bashkimin që realizuam. Vendosëm që dikush që ka një histori me të dyja partitë të ishte pjesë e listës sonë, simbolikisht.

Kur keni folur për herë të fundit me kryetarin e PDS Paskal Milo?
Shkëmbejmë mesazhe rregullisht.

Dmth në telefon jo? Këtu e kishte fjalën Milo kur tha se “s’më ngre telefonin”?
Ai e di që unë asnjëherë nuk e ngre telefonin, një mesazh për të ngritur telefonin, unë e marr gjithmonë në telefon ai asnjëherë. Sepse nuk merr dot.

I tradhëtuat gjë aleatët tuaj? Skënder Gjinushin? Paskal Milon?
Asnjëherë, asnjëherë.

Ngjelën...
Asnjëherë. Ju mendoni se Ngjela do ta kishte duruar dot tradhëtinë? Te jeni të sigurt sepse do ta kishit dëgjuar publikisht.

Pse iku Preç Zogaj pra?
Sepse është njeri i lirë.

Si të gjithë në PS...
Eshtë njeri i lirë dhe ...

Dhe Kaçi ka ikur nga PS, e mandej në PD...
S’është e njëjta gjë.

Ju dhemb kjo që ju krahasojnë me Partinë e Punës ju, si Edi Rama...
Mua? Kush e bën këtë?

Një kryetar partie...
Ah ai i Partisë së Punës.

Si janë marrëdhëniet tuaja me veteranët?
Shumë të mira.

Të shkëlqyera?
Njëherë i thashë njerit ndjesë pastë kryetar i veteranëve të Tiranës, që si shpjegohet me ju që jeni më të vjetërit e me të rinjtë e kam shumë mirë dhe me këta të mesmit sikur s’merrem vesh. Dhe më tha: ti duhet ta kishe kuptuar që ne jemi komunista, të rinjtë idealistë dhe të mesmit revizionistë.

Jeni penduar për ndonjë fjalë që mund të keni thënë dikur?
S’kam thënë asnjëherë fjalë duke u nisur të bëj keq kështu që ndjesa vjen kur nisesh të bësh keq.

E kam në përgjithësi...
Përderisa kam kërkuar edhe falje do me thënë që jam penduar.

Mjekrën kur do ta hiqni? Jeni zbardhur tani që jeni kryetar partie..
Po, por heqja nuk e nxin ama. Prapë aty e bardhë do jetë. Çfarë rëndësie ka.

Do të bëni diçka simbolike nëse fitoni në 23 qershor? Siç bëjnë psh disa futbollistë? Presin flokët...
Aaaa, gjëra të tilla, jo, jo.

Ju përgjigjët një pyetjeje me “nëse”...
Në fakt nuk e kam asgjë të lidhur me “do qeth flokët”, “do hidhem në lumë”...Fitorja nuk është me nëse...

Ju fitoni se u bashkuat me Ilir Metën?
Ne fitojmë sepse shqiptarët duan rrotacionin dhe Rilindjen.

Kanë rilindur të gjithë, apo janë duke Rilindur?
Ata që lindin e kanë për herë të parë...

Psh, në Korçë kishit një kandidate për deputete shtatzënë...
Ajo është një grua e shkëlqyer dhe familje me shumë perspektivë dhe ajo vetë me respekt dhe predipozicion.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.05.2013

Redaksia Online
(b./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës