Te ne, çdo gjë që kanë përfshirë rrjedhat politike gjatë gjithë periudhës mbi dy dekadash të tranzicionit shqiptar, nuk mund të mos të të kujtojnë atë që shkrimtari i njohur austriak, Karl Kraus u shpreh për marrëdhëniet e kohës së tij midis Gjermanisë dhe Austrise, se: “asgjë nuk na ndan më shumë se sa gjuha e përbashkët”.

Duke reflektuar mbi këtë thënie në raport me përvojën tonë, prapë se prapë ka disa dallime esenciale. Për shembull: nëse në periudhën për të cilën flet Krausi, Gjermania dhe Austria kishin qenë dy shtete të veçanta me tradita historike të spikatura në Evropë, ndërsa Shqipëria me vetëm një shekull mëvetësimi, por e rrëmujshme politikisht, sidoqoftë edhe në këto ditë është një shtet i vetëm, unitar dhe i pandashëm; nëse atëhere Gjermania dhe Austria kalonin periudha të vështira të imponimit ndaj njëra tjetrës, çka i prinë një lufte botërore, duke çuar deri në një bashkim të dhunshëm të tyre (Anshlusin), në Shqipërinë e sotme askush nuk guxon të mohojë dhe të vërë në pikëpyetje vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës; nëse një herë e një kohë Gjermania dhe Austria në marrëdhëniet e tyre ndërshtetërore njihnin politikisht mospajtime, Shqipëria kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kur këtu partitë politike përpiqen të udhëheqin me “gjuhë” të ndryshme nga njëra tjetra.

Shprehje e qartë e një ndarjeje të tillë mund të konsiderohet edhe bojkoti gjysmëvjeçar nga opozita politike i punimeve të organit më të lartë ligjvënës, ku populli pret nga përfaqësuesit e zgjedhur prej tij që t’i përgjigjen kërkesave për të mos tjetërsuar pushtetin, që të respektohen parime të caktuara me supozimin themelor për të komunikuar jo vetëm me njëri tjetrin, por edhe me botën e zhvilluar dhe të qytetëruar.

Përkundër këtyre përmbushjes së këtyre kërkesave, prej mbi dy dekadash këtu realisht nuk ekziston apo nuk është bërë e mundur të arrihet, të formohet një bashkësi politike vërtet e legjitimuar në mazhorancë dhe opozitë sipas votave që jep elektorati, por jo e ndarë në bazë të bindjeve nëse politika është apo jo përmbledhje e çfarëdo gjëje, se në ‘të nuk ka kurrfarë morali, se asnjë marrëveshje nuk vlen po qe se nuk mbështetet në preferencat dhe tekat për të ruajtur pushtetin apo edhe interesat private.

Pra, situatat këtu janë ende larg asaj që prej shumë kohësh pranohet përgjithisht në botën demokratike, se aftësia politike gjendet në piedestalin e piramidës së racionalitetit, që vendos marrëdhënie hierarkike ndërmjet interesave shtetërore dhe atyre private, ndërmjet urtësisë që nevojitet për të drejtuar shtetin dhe privilegjeve grupore etj. Prandaj, nëse shprehja që politika është “aftësi e së mundshmes” lexohet dhe artikulohet në mënyrë serioze, ajo jep mundësinë për konotacione që prekin edhe vet fillimin e lindjes së politikës, kur nisi të formësohet në lëmin e saj edhe aftësia për t’u mbrojtur nga brutaliteti i të pamundshmes.

Nëse politikanë të caktuar nuk duan t’ia dinë për këtë përvojë të përparimit të shteteve demokratike, atëhere në Shqipëri do të vazhdojë ngadalësohet gjithnjë e më tepër zhvillimi i një shoqërie civile, ku njerëzit dëshirojnë të jenë të pavarur, të qëndrueshëm ekonomikisht dhe të mbrojtur ndaj kërcënimeve partiake apo të atyre të ziliqarëve, që të mësuar për të mos humbur as objektivisht shanset e veta për t’u vënë në krye nuk punojnë veçse për destabilizim të rendit dhe të krejt vendit. Mirëpo, jeta është përsosje e pafund dhe, siç është sugjeruar gjithmonë nga Hegeli dhe të tjerë pas tij, “ta quash veten të përsosur do të thotë të vrasësh veten”.  

Mirë, mirë, por çfarë ndodhi kur po i vinte fundi afatit për të ruajtur deputetët opozitartë të Kuvendit të Shqipërisë mandatin parlamentar? Disa po bëheshin gati të futeshin në punimet kuvendare, me gjithë kërçënimin se do të përjashtoheshin nga Partia. Disa të tjerë, që dominohen ende prej ish-kryeministrit Berisha, dëgjonin me vëmendje këtë kur u thoshte, se nuk përmbysej bota po t’iu humbte mandati, do t’ua kthente atë populli më 20 shkurt(?!). Megjithë këtë, frika e ndonjë përçarjeje të pariparueshme të rradhëve të partisë së tyre, kreun legal të PD, Lulzim Basha e detyroi që në këmbim të ndërprerjes së bojkotit parlamentar, t’u kërkonte emisarëve evropianë të negocionin për të arritur një marrëveshje me PS, së cilës kolegët demokratë nuk ua kuptonin gjuhën.

Pikërisht, frika nga gjuha e përbashkët çoi deri atje sa të dërguarit e Parlamentit Evropian, Kukan dhe Fleckenshtein të largoheshin pa u arritur marrëveshja e kërkuar, së cilës demokratët i shtuan shtuar edhe ca bishta nga vetja. Një ditë më vonë, nga Brukseli ata përcollën këtu një Projekt-Rezolutë me katër pika, ku në të parën thuhej qartë që “...mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e saj të cilësuar (3/5) për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus me opozitën për reforma të rëndësishme, kurdoherë që është e mundur”.

Me shprehjen e menjëhershme të gatishmërisë së mazhorancës për ta votuar në Parlament së bashku me opozitën këtë Projekt, gjithkush mendoi që bojkotit i erdhi fundi. Por, ja që ishte e vështirë për t’u konfirmuar edhe nga Partia Demokratike vlefshmëria këtu e një gjuhe të përbashkët në mënyrë korrekte, që do të nënkuptonte edhe një etikë dinjitoze gjatë proceseve politike. Prandaj, u deshën plot 5 orë, që më së fundmi, në mesnatën e datës 23 dhjetor, duke u gdhirë 24-ra, të bihej dakord për saktësinë e përkthimit të projektit nga anglishtja. Dhe, kjo vonesë u shkaktua nga pretendimi i të dërguarve të PD në takimin me përfaqësues të PS dhe LSI, se kryesisht duheshin eliminuar në pikën e parë të Projekt-Rezolutës fjalët “kurdoherë që është e mundur”.

Pra, për t’i dhënë përmbajtjes së kësaj pike detyrimin që për votimin e çdo marrëveshjeje ndërkombëtare dhe të çdo ligji të përforcuar të mos kishin asnjë vlerë votat e shumicës së cilësuar. Me fjalë të tjera, që të fshiheshin nga fjalori parlamentar termat ‘mazhorancë’ dhe ‘opozitë’, si edhe që aktet e mësipërme t’i nënshtroheshin medoemos tekave, fakultetit dhe interesave të veçanta të kësaj të fundit(?!). Dhe meqë nga halli (jo nga malli) i Partisë Demokratike, të dërguarit e saj u urdhëruan të firmosnin Marrëveshjen, dhe gjithashtu pas disa orësh edhe deputetët opozitarë do ta votonin Projekt-Rezolutën e dërguar nga Brukseli, përsëri e përsëri nuk munguan mosmarrëveshjet, domethënë ojnat dhe nazet, që çuan në vonim të orarit të fillimit të seancës plenare të Kuvendit.

Konkretisht, Kryetari i grupit parlamentar të PD kërkoi ndryshim të rendit të ditës, çka nuk u pranua nga Kryetari i grupit Parlamentar të PS, çka pasoi mbledhjen për herë të dytë të grupit demokratik, derisa nisi aktiviteti i rregullt parlamentar, që deputetët e së djathtës pothuajse e kishin harruar.

Të hënën e tretë të muajit të Janarit do të fillojë sesioni i parë i vitit të ardhshëm dhe, sikurse theksohet në pikën 2 të Projekt-Rezolutës tashmë të miratuar, “Të gjitha partitë do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili do të zhvillohet kryesisht në Kuvend...”. Pra, jo kryesisht në tryeza partiake dhe sheshe protestash.

Aq më i domosdoshme është të kuptohet shqip ky detyrim, po të mbahet nëpër mend kalendari i ngjeshur politik dhe vendimmarrës i 2015-s, për kryerje reformash, si për shembull, ajo për sistemin e drejtësisë, ajo elektorale etj, dhe lidhur me këtë të fundit përcaktimi i plotë i parametrave të fushatës elektorale për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore (tashmë të reduktuara në 61 bashki), data e të cilave është dekretuar nga Presidenti i Republikës për 21 qershorin e pritshëm.

Ndërkohë që, edhe sepse Rezoluta, Projekti i së cilës erdhi nga jashtë shtetit tonë, përmban plotësimin edhe të kërkesës për respektim të Kushtetutës (pika 2), ky obligim përfshin sigurisht edhe lëvrimin nga politikanët tanë gjatë dialogut të tyre e gjuhës sonë të përbashkët, pra shqipes, si gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë (neni 14/1 i Ligjit Themelor).              


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)