Presidenti Bujar Nishani e sheh kremtimin e Krishtlindjes një mundësi të mirë për të rritur solidaritetin njerëzor përballë urimeve për shëndet e begati. Një vit mbreslënës ky, që sipas kreut të shtetit u kulmua me ardhjen e Papa Franceskun në vendin tonë dhe me marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
“Nuk na mbetet veçse të lemë mënjanë ndasitë e përkohshme e të bashkojmë forcat, energjitë dhe mençurinë, me urimin që Zoti do të vazhdojë ta bekojë Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugëtimin tonë të pandalshëm drejt begatisë e përparimit, si dhe për t’u bërë pjesë e denjë e familjes së madhe evropiane! Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjen!”, uron kreu i shtetit Bujar Nishani.
Sakaq, kryeministri Edi Rama përpos urimit për Krishtlindje, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’i ardhur sadopak në ndihmë personave në nevojë në këtë ditë të shënuar. Kreu i qeverisë ftoi qytetarët shqiptarë që të shprehin urimet e tyre, të cilat do të shfaqen në fasadën e godinës së Kryeministrisë përmes video-projektorit. Shuma e mbledhur nga mesazhet telefonike të dërguara do t’i jepet njerëzve në nevojë për t’iu gëzuar edhe ata Krishtlindjes.
“Lini në mur mesazhin apo imazhin tuaj për të ndarë gëzimin e festave me kë dëshironi dhe përmes mesazhit për të derdhur një grimcë dritë në shpirtin e kujt ka nevojë për solidaritetin tuaj! Gëzuar!”- shkruan kryeministri Rama në rrjetin social “Facebook”.
Kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar të gjtihë shqiptarët që e ardhmja e tyre të jetë më mirë.
“Ju uroj nga zemra të gjithë besimtarëve dhe çdo shqiptari që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja, për ju dhe familjet tuaja. Gëzuar!”, uron Basha përmes rrjetit social Facebook.
Urimeve për Krishtlindjen i është bashkuar edhe ish-kryeminsitri Sali Berisha, gjithashtu përmes rrjeteve sociale. "Gëzuar Krishtlindjen, paqe, dashuri, lumturi dhe bekimin e Zotit për ju dhe familjet tuaja! - shkruan Berisha.
Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda, nuk ka mundur të lë jashtë urimit të saj kthimin e opozitës në Kuvend pas 6 muajsh bojkoti. Ajo ka shprehur keqardhje për kohën që kjo forcë politike i ka munguar shqiptarëve dhe problemeve që elektorati i tyre ka dashur të përcjellë përmes zërit të deputetëve në Parlament.
“Keqardhje për kohën e munguar. Gëzuar të gjithëve, shpresë paqe dhe dashuri”, shkruan deputetja demokrate në Facebook.
Urimet e plota
Urimi i Presidentit Bujar Nishani
“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ku ndodheni,
Me rastin e ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’ju shpreh urimet më të mira e të përzemërta në këto çaste të lumtura!
Dita simbol e lindjes së Krishtit dhe e farkëtimit të besimit në Zot, lind sërish në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat dhe përjetimet e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, ku të gjithë bashkojnë përpjekjet për të përsosur vlerat më të larta e më fisnike njerëzore.
Sot ne urojmë familjarët, të afërmit, miqtë, të njohurit ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.
Në këtë ditë të bekuar, mendja na shkon dhe zemrat tona rrahin për njerëzit fatkeqë, të cilët kanë më shumë nevojë për ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore: për ata që ndihen të vetmuar, të braktisur, të pamundur e të sëmurë, për ata që kanë humbur përkohësisht shpresën dhe besimin tek e ardhmja duke u përpjekur sadopak t’ua rikthejmë ato e t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet.
Kremtimi i Krishtlindjes na ofron një mundësi të mirë për të rritur solidaritetin tonë njerëzor duke i uruar shoqi-shoqit jo vetëm shëndet dhe begati, por edhe duke u përpjekur së bashku si komb për t’i arritur dhe jetësuar ato për të gjithë pa dallim!
Kjo Krishtlindje po festohet në mbyllje të një viti mbresëlënës e historik kur mikpritëm denjësisht Atin e Shenjtë dhe morëm me meritë statusin e vendit kandidat.
Nuk na mbetet veçse të lemë mënjanë ndasitë e përkohshme e të bashkojmë forcat, energjitë dhe mençurinë, me urimin që Zoti do të vazhdojë ta bekojë Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugëtimin tonë të pandalshëm drejt begatisë e përparimit, si dhe për t’u bërë pjesë e denjë e familjes së madhe evropiane! Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjen!” – thuhet në mesazhin e urimit të Kreut të Shtetit shqiptar.
Urimi i Kryeministrit, Edi Rama
“Lini në mur mesazhin apo imazhin tuaj për të ndarë gëzimin e festave me kë dëshironi dhe përmes mesazhit për të derdhur një grimcë dritë në shpirtin e kujt ka nevojë për solidaritetin tuaj! Gëzuar!”- shkruan kryeministri Rama në rrjetin social “Facebook”.
Urimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha
Te dashur miq, besimtare te krishtere, besimtare te Zotit, Gezuar Krishtlindjen kete feste te dashurise, shpreses dhe besimit. Ju uroj nga zemra te gjithe besimtareve dhe cdo shqiptari qe e nesermja te jete me e mire se e sotmja, per ju dhe familjet tuaja. Gezuar!
Urimi i ish-kryeministrit, Sali Berisha
"Gezuar Krishtëlindjen, paqe, dashuri, lumturi dhe bekimin e Zotit per ju dhe familjet tuaja! sb"- shkruan Berisha.
Urimi i deputetes së PD-së, Mesila Doda
“Keqardhje për kohën e munguar. Gëzuar të gjithëve, shpresë paqe dhe dashuri”.
*Lajmi është hedhur fillimisht në 19:40 te 24 Dhjetorit, u përditësua më 00:31 te 25 Dhjetorit
Redaksia Online
(a.h/Shqiptarja.com)