Besimtarët katolikë festojnë Pashkët. Urimet për këtë festë të veçantë të besimtarëve i ka ndarë edhe politika shqiptare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:43
Pashkët/ Veliaj: Jetë, dashuri, optimizëm mbi vdekjen, urrejtjen e cinizmin

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shprehur sot urimet për gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Pashkës.

Me anë të një mesazhi të publikuar të dielën, ai uron besimtarët katolik për këtë ditë të shënuar në kalendarin e krishterë, ndërsa thekson se ditë të tilla duhet t'i shërbejnë kujtdo për të krijuar bindjen se e mira e mund të keqen dhe dashuria e mund urrejtjen.

“Gëzuar festën të gjithë besimtarëve! Qoftë një ditë frymëzimi për këdo se jeta e mund vdekjen, dashuria e mund urrejtjen, optimizmi e mund cinizmin! Bekime e përqafime!”, uroi Veliaj në mesazhin e tij.

Ora 10:13
Basha shkon në Kishën e Shna Ndout: I lutem Zotit...(VIDEO)

Lideri demokrat Lulzim Basha ka shkuar këtë mëngjes në Kishën e Shna Ndout në Laç prej nga ka ndarë urime për besimtarët katolikë dhe gjithë shqiptarët, për kremtimin e Pashkëve.

Lutjet e tij në këtë ditë janë edhe për "çlirimin e Shqipërisë nga padrejtësitë" siç ai shprehet.

Kryetari i Partisë Demokratike në një video të shpërndarë Live në rrjetin social Facebook nga Kisha e Shna Ndout, ndan lutje që ngjallja e Krishtit të jetë edhe ngjallje shprese për Shqipërinë.

Me sytë nga Zoti tashmë, Basha lutet për çlirimin e Shqipërisë nga padrejtësitë, dhe bashkimin e tyre nën Perëndinë, për një Shqipëri të së ardhmes më të mirë.

Mesazhi i Bashës

"Sapo kam mbërritur në një vend, një nga vendet më të shenjta për shqiptarët, për besimtarët e Krishtit dhe për të gjithë shqiptarët, Kishën e Shna Ndout në Laç dhe dua prej këndej t’u uroj gjithë besimtarëve, katolikë e ungjillorë, dhe të gjithë shqiptarëve: “Gëzuar! Për shumë vjet Pashkët”. Kjo ditë e ngjalljes së Krishtit, në të cilën sot, nga kisha e Shna Ndout lutem për të gjithë bashkëqytetarët e mi, në veçanti, për ata më në nevojë, për të vobekëtit, për të sëmurët dhe familjarët e tyre, për ata që vuajnë padrejtësitë. Lutem që kjo ditë e ngjalljes së Krishtit të jetë dita e ngjalljes së shpresës dhe besimit tek paqja dhe e nesërmja e sigurtë, nën drejtimin e Zotit fuqiplotë. 

Sot kam një urim për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, që Zoti të na e ndriçojë rrugën e bashkimit, bashkimit kundër padrejtësive, për ta çliruar Shqipërinë nga padrejtësitë, për t’u bashkuar të gjithë si vëllezër e motra, nën Perëndinë, nën Zotin, në këtë ditë të ngjalljes së Krishtit dhe ngjalljes së shpresës, për një Shqipëri të paqes, për një Shqipëri të së ardhmes më të mirë për çdo familje, për çdo shqiptar dhe për të gjithë bijtë, vogëlushët e shqiptarëve. 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Edhe njëherë, nga Kisha e Shna Ndout, gëzuar e Për shumë vjet, gjithë besimtarëve të Krishtit, gjithë besimtarëve katolikë, në veçanti gjithë shërbëtorëve të Zotit, në gjithë dioqezat tona, në Shqipëri, anembanë kombit shqiptar e në diasporë.

Gëzuar të gjithë besimtarëve ungjillorë, gëzuar të gjithë shqiptarëve. 

Gëzuar, Për shumë vjet Pashkët".

Ora 10:04
Rama uron Pashkët përmes fotos së veçantë

Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët katolikë për festën e Pashkëve. Ka zgjedhur një urim të veçantë përmes Memorialit në Kuvendin e Troshanit, vendi ku mësoi u rrit, dhe më pas dha mësim At Gjergj FIshta. "Ju uroj pashkë të gëzuar", shkruan kreu i qeverisë në rrjetet sociale.