Një javë më parë, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim, i cili detyron një numër biznesesh të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për makineritë-pajisjet që përdorin në investimet e reja.

Vendimi korrigjon një akt të mëparshëm të qeverisë, e cila kishte përcaktuar një gamë shumë të gjerë pajisjesh, kryesisht nga ato që përdoren për investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, të cilat përjashtoheshin nga pagesa në masën 20% të vlerës, që kryhet nëpërmjet TVSH-së.

Fjala është për VKM numër 84 të Këshillit të Ministrave, ku ka një listë shoqëruese me kodet e materialeve dhe makinerive, të cilat deri tani përjashtoheshin nga TVSH-ja, por që rikthehen në regjimin e mëparshëm.

Një numër i madh i tyre u përkiste mallrave që importohen për ndërtime të reja në sektorin e hidroenergjetikës, investime në hidrocentralet e reja që po bëhen në tregun shqiptar.

Qëllimi i përjashtimit të mëparshëm ishte ndihma financiare për sektorë që kontribuojnë në punësim, si dhe që ndikojnë në zgjidhjen e krizave shumëvjeçare, kushte, të cilat plotësohen nga investitorët në energji. Por VKM në fjalë do të sjellë kosto ekstra për ndërtuesit, që kanë marrë edhe kredi dhe janë në proces ndërtimi.

Sipas ministrisë, qeveria e ka përmirësuar skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke i rimbursuar bizneset pa vonesa, ndaj ky ndryshim nuk i cenon financiarisht investitorët në fushën e energjisë. Por nuk reagon për rritjen reale të kostos së investimeve, që do të sjellë vonesa, si dhe një rritje të kostos së energjisë.
 
Sektori privat
Hidrocentralet private dhe ato me koncesion kontribuuan me 28% të prodhimit vendas të energjisë gjatë vitit 2016. Roli i tyre në rritjen e prodhimit vendas ka ardhur gjithnjë e në rritje, teksa për herë të parë pas shumë vitesh, Shqipëria u bë eksportues neto i energjisë.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas shënoi vitin e kaluar 7.2 miliardë kilovatorë, nga të cilat 5.1 miliardë u prodhuan nga HEC-et në pronësi të KESH-it dhe 2.1 miliardë u prodhuan nga HEC-et private dhe ato me koncesion. Në këtë sasi u përfshi edhe HEC-i i ri i Banjës mbi lumin Devoll, që u vu në punë për herë të parë më 2016, duke prodhuar 70 milionë kilovatorë.
 
Të ardhurat
Vendimi nuk ka të bëjë vetëm me sektorin e energjetikës. Po të shohësh listën e pajisjeve, për të cilat tashmë duhet të paguhet sërish TVSH, aty bëjnë pjesë edhe pajisje të ndërtimit, të fasoneve, etj. Por ky kthim prapa dukshëm ka të bëjë me gjendjen e vështirë të Financave publike, ku zëri i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar po dështon në realizimin e planeve në mënyrë sistematike.

Në periudhën janar-nëntor 2016, e fundit për të cilën Financat ofrojnë statistika, zëri i TVSH-së ka shënuar një mosrealizim në masën 5.7 miliardë lekë, apo 42 milionë euro. Shifra është më e lartë se ajo e një viti më parë, por gjithsesi 4.6 për qind më e ulët se ajo që ishte planifikuar.



dy.b/shqiptarja.com