Pollo ka thënë se në vitin 2007 është bërë thirrje që njerëzit mos bëheshin viktimë e këtyre skemave mashtruese arsimore, por sipas tij Ejona Isufaj nuk e ka dëgjuar. Sipas tij fakti që një person nga 2012, kur e di zyrtarisht, e përdor në CV-në e vet dhe në aplikimet për punësim si tek privatet dhe pastaj në Ministri, është vepër penale.
“Quhet mashtrim dhe e parashikon kodi penal. Por nuk e di a do lipsej në këto rrethana që jemi, ti themi zonjës Ministre të Arsimit, Lindita Nikolla, që duhet ta shkarkojë atë menjëherë apo ndoshta duhet të konsiderojë dorëheqjen sepse në çdo vend të Evropës ku duam të integrohemi, kështu thotë shpesh Edi Rama, në një rast të tillë as 24 orë nuk do ishin mbushur dhe personi ose do kishte ikur vet ose do ishte shkarkuar nga titullari. Por në rrethanat tona, kur deputet bëhesh kur ke diplomë burgu, kur drejtor bëhesh kur je dënuar në Shqipëri, në Itali në Greqi dhe në Francë, e në vende të tjera për krime të ndryshme, përfshi edhe trafik droge, fatkeqsisht kjo me administratën tonë po bëhet normë dhe ky është problemi ynë real”, ka thënë Pollo.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)